Prej gati 20 vjetësh presin disa vende të Ballkanit Perëndimor afrimin në BE, por rruga është me pengesa.
Reformat e nevojshme në shumë drejtime nuk janë zbatuar, po ashtu për shumë kohë në BE ka munguar vullneti politik dhe një strategji e qartë ndaj Ballkanit Perëndimor.
E pikërisht tani, kur Europa po përballet me dy luftëra – lufta sulmuese e Rusisë në Ukrainë dhe konflikti në Lindjen e Mesme – po bëhet e qartë, se një Ballkan Perëndimor i pastabilizuar mund të jetë një rrezik shtesë për sigurinë.
“Lufta sulmuese ruse ndaj Ukrainës e ka bërë një domosdoshmëri gjeopolitike zgjerimin e BE-së”, deklaroi ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock gjatë vizitës në Malin e Zi.
Koha e zgjedhur për udhëtimi i kryediplomates gjermane nuk është rastësi, thonë mediat në Gjermani: Në mes të marsit publikohet raporti i radhës i Komisionit të BE-së për progresin dhe pak pas tij në samitin e BE-së do të diskutohen hapat e mëtejshëm.
Vendi anëtar i NATO-s, Mali i Zi, njëri prej gjashtë vendeve aspirante për anëtarësim në BE, ka përparuar mjaft në procesin e negociatave, megjithatë, rruga deri në përmbushjen e të gjitha kritereve është mjaft e gjatë.
Pavarësisht kësaj qeveria pro-europiane e Malit të Zi po nxit procesin me një plan mjaft ambicioz: “28 by 28” është nisma kombëtare, që ka për qëllim antarësimin e vendit deri në vitin 2028 në BE.
Krahas problemeve të politikës së brendshme dhe rritjes së influencës nga Rusia, situata aktuale gjeopolitike krijon shqetësim në Ballkanin Perëndimor.
Disa druhen, se pas zgjedhjeve të BE-së në Parlamentin Europian mund të ketë më shumë deputetë skeptikë ndaj zgjerimit dhe se në SHBA Donald Trump mund të fitojë zgjedhjet presidenciale. Ndaj ka shqetësim, se kjo do ta zbehte sërish vëmendjen e Europës ndaj Ballkanit Perëndimor.
Top Channel