Inside Story/ Hartë për dislokimin e forcave në Jug, Braho: Skenar vëllavrasës në vitin e mbrapshtë

06/03/2024 22:02

Spartak Braho, i cili ishte nënkryetar i këtij komisioni thotë se konkluzionet bazohen në këqyrjen e dokumenteve origjinalë gjatë hetimit të kësaj çështjeje dhe jo në hipoteza.

“Realisht u dhanë urdhra për mobilizim,për arrestime, për vrasje masive, për përplasje mes strukturave ushtarake me popullin dhe në fund u krijua një ide plotësisht e saktë për dikë që interesohesh që Veriu të përplasej me Jugun”, tha Spartak Braho, ish-nënkryetar i komisionit hetimor ’97.

Pas hetimit të dokumenteve në disa dikastere, është zbuluar se ekzistonte një hartë e përpiluar për dislokimin e forcave dhe ruajtjen e objekteve. Në hartën e gjetur në Drejtorinë Operative në Ministrinë e Mbrojtjes me Nr.7 datë 4.3.1997, tregohen më së miri zonat nxehta e për të cilat do te ndërmerreshin veprime operacionale ushtarake.

Pas irritimit të popullatës, Sali Berisha përmes urdhrit 26 datë 18 Shkurt 1997, hiqte forcat e ushtrisë nga angazhimi për ruajtjen e rendit. Por, pavarësisht kësaj, me datë 28 shkurt, urdhërohet përsëri dërgimi i forcave të Ushtrisë.

Ish-Shefi i Shtabit të Përgjithshëm Sheme Kosova, në po të njëjtën ditë urdhëron lëvizjen e efektivave të Brigadës Komando nga Tirana në Fier. Po kështu, një ditë më pas, më 1 mars lëshon një tjetër urdhër për lëvizjen e Brigadës së Tankeve Zallherr në drejtim të Fierit.

Të gjitha këto vendime janë përpara se të shpallej gjendja e jashtëzakonshme, më datë 2 mars 1997. Në po këtë ditë edhe qeveria Meksi dha dorëheqjen, por Shqipëria ishte në flakë.

“Për mua ishte një skenar i hedhur në letër, në tavolinë me gjakftohtësi kriminale që u zbatua pikë për pikë. Thonë sot që i hapi depot Partia Demokratike apo qeveria, po ajo i kishte në dorë të gjitha pse do i hapte, është absurde“, u shpreh, Gëzim Zilja, ish-kryetar i Bashkisë së Vlorës.

Top Channel