Bandat në Haiti i japin ‘ultimatum’ kryeministrit për të dhënë dorëheqjen (fotot)

06/03/2024 16:34

Një krye-kriminel që papritur është vënë në krye të një bande gjigante, të pajisur e armatosur më së miri, lufton prej pesë ditësh kundër forcave të kryeministrit të Haitit.

Lideri i rebelimit Jimmy Chérizier, ka paralajmëruar kryeministrin Ariel Henry, i cili nuk ndodhet në vend, se duhet të japë dorëheqjen, përndryshe vendi i varfër i Karaibeve, do të përballet me luftë civile.

Jimmy Chérizier doli gjithashtu para gazetarëve vendas e perëndimorë për të thënë se vendin e prisnin “ditë të këqija”.

“Haiti do të bëhet ose një parajsë ose një ferr për ne,” tha Chérizier, një ish-oficer policie i kthyer në bandit, me ‘emrin e terrenit’, Barbecue.

“Nëse Ariel Henry nuk jep dorëheqjen dhe nëse komuniteti ndërkombëtar e mbështet, ne do të shkojmë në luftë civile”, tha Chérizier në deklaratën e tij të dytë publike, duke dashur të linte të kuptonte se nuk kishte mbështetjen e perëndimit, teksa grupet e tij të bandave nisën sulmet e përgjakshme të enjten.

Këto ditë mijëra të burgosur janë liruar në aksione të organizuara sulmi, dhe më pas kanë kapur pika strategjike të kryeqytetit Port-au-Prince, duke përfshirë dy aeroporte, stacione policie dhe një port.

“Nuk kuptohet kush është në kontroll, askush nuk është në kontroll”, tha Jean-Marc Biquet zyrtari bamirësisë Médecins Sans Frontières në Haiti. “Unë trembem se policët rrjedhimisht do të heqin dorë nga luftimet dhe më pas kaosi do të vijojë”, shtoi ai.

Aftësitë e kryekriminelit Chérizier para kamerave janë në kontrast me heshtjen e Henry dhe të anëtarëve të administratës së tij të gjymtuar.

“Është e tmerrshme kjo që po ndodh, dhe më e çuditshmja është se nuk dëgjohet asgjë nga qeveria, por vetëm deklaratat e kriminelëve në media”, tha aktivistja politike Monique Clesca, duke fajësuar për trazirat mosveprimin e qeverisë së Henry.

Kryeministri i Haiti mori përkohësisht postin pas ekzekutimit mafioz të pararendësit Jovenel Moïse gjatë kohës së p andemisë në 2021, por nuk është parë në publik që prej nisjes së rebelimit.

Ai është aktualisht në Kenia për të tentuar dislokimin e një force ndërkombëtare sigurie për vendin.

Një përfaqësues i departamentit amerikan të shtetit tha dje për rrjetin El Nuevo Día, se nuk do të ketë asistencë ushtarake për kthimin e kryeministrit në Haiti, shkruan The Guardian.

Ndërsa rrjeti amerikan Miami Herald tha se administrata Biden i bënte thirrje kryeministrit të Haitit për t’u kthyer në vend për të dhënë dorëheqjen e për të krijuar një qeveri tranzicioni, pak a shumë siç kërkon dhe krye-rebeli në vend.

Sot Këshilli i Sigurimit të OKB do të mbajë një takim për krizën e sigurisë në Haiti dhe gjendjen e rëndë humanitare të popullsisë, teksa gjysma e 11 milionë banorëve janë krizë urie, sipas agjencisë së ushqimit të OKB.

FOTO GALERI
1/3
Këto ditë mijëra të burgosur janë liruar në aksione të organizuara sulmi, dhe më pas kanë kapur pika strategjike të kryeqytetit Port-au-Prince

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA