Etika në shkollë/ Punonjësit socialë japin recetat: Duhet një rregullore e përbashkët prindër mësues…

02/03/2024 12:35

Nxënës me barkun jashtë, me thonj të gjatë, tualet të rënduar, pantallona të grisura e plot detaje të tjera në shkelje të etikës vëren në shkolla.

Institucionet arsimore kanë detyrim ligjor hartimin e një rregulloreje të brendshme, si dhe kanë në strukturë komisionin e etikës dhe sjelljes për masat disiplinore, mirëpo nxënësit zhvillojnë mësim me paraqitje të papërshtatshme, të pashqetësuar… Kryetari i urdhrit të punonjësve social, Mirgit Vata, nuk fajëson fëmijët për dukjen, por shënjestron dy hallka.

‘Kemi prindërit dhe shkollat, dy përgjegjësit kryesorë. Nuk duhet të kemi vetëm një dakordësi verbale, por një rregullore të përbashkët prindër mësues, marrëveshje të firmosur nga prindërit ku të kuptohet që është detyrim respektimi i protokolleve shkollore, për imazhin, sjelljen e nxënësve, në të kundërt të ketë masa administrative”- tha Mirgit Vata, kryetari i Urdhrit të punonjësve socialë.

Qëllimi i shkollës është edukimi i nxënësve dhe krijimi i një mjedisi miqësor për ta, por veshjet provokative kthehen në pengesë për të pasur vëmendjen në mësim. Madje, përdoren edhe si mjet bullizimi mes nxënësve.

“Studimet kanë treguar se në shkollat ku është e detyrueshme uniforma, bullizmi është i ulët. Nxënësit duhet të jenë të barabartë në shkolla, sepse kthehet problematikë krahasimi i nxënësve, mundësitë ekonomike”– tha Vata.

Në disa shkolla është e saktësuar respektimi i kodit të veshjes si për nxënësit dhe mësuesit, mirëpo vëzhgimi në institucionet arsimore nxjerr në pah se këto rregulla nuk zbatohen.

Top Channel