Parada e kalorësve, që prihej nga Gjergj Kastrioti, të shoqëruar nga 1200 nxënëse që prezantonin kostumografinë, startoi aktivitetet në Lezhë në përkujtim të 2 marsit 1444, 580-vjetorit të Besëlidhjes së Princave shqiptare.
Ata parakaluan përgjatë bulevardit Gjergj Fishta, ndërsa pranë obeliskut të Besëlidhjes i prisnin autoritetet nga mbarë trojet shqiptare. Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca, Kreu i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, përfaqësues të Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi e arbëreshëve të Italisë vendosën kurora me lule pranë Obeliskut të Besëlidhjes dhe bënë homazhe në kishën e Shën Kollit, vendit ku është mbajtur takimi bashkues i principatave të Arbrit nën udhëheqjen e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti.
Sheshi “Gjergj Kastrioti” u karakterizua nga performancat që sollën fëmijët nga qytetarë të ndryshëm të veriut të Shqipërisë ndërsa nuk mungoi edhe kënga e labërisë. Mesazhet e kësaj dite janë përcjellë në një aktivitetet tematik që u zhvillua në pallatin e kulturës, ku u fol sërish për nevojën e bashkimit kur flitet për çështje kombëtare.
Aktivitetet kanë vijuar gjatë gjithë ditës së sotme, ndërsa është shoqëruar me praninë e shumë qytetarëve lezhjanë dhe të ardhur nga qytete të tjera në kremtimet e Besëlidhjes së Lezhës, 580-vjetorin e Bashkimit të Princave Arbnore.
Top Channel