Kreu i Urgjencës, Skënder Brataj, tregoi për situatën e të plagosurve pas shpërthimit të fuqishëm në Lushnjë.
Brataj tha se në vendin e ngjarjes nuk ka më të plagosur të tjerë. Ndër të tjera shtoi se të plagosurit po marrin trajtim në Spitalin e Lushnjës dhe të Traumës.
“Tre persona janë dërguar drejt Tiranës pasi janë në gjendje më të rëndë, ndërsa tre të tjerë po marrin trajtim në spitalin e Lushnjës. Është rakorduar në kohë rekord dhe problematikat janë kryesisht me djegie, ndaj po shkojnë mes Traumës dhe kirurgjisë plastike të QSUT… Veç shpërthimit janë dy lloj dëmtimesh. Do të vërtetohet nëse ka dëmtime apo fraktura. Pacienti është në gjendje më të rëndë, kryesisht ka një përqindje më të lartë djegie drejt fytyrës që prek edhe rrugët e frymëmarrjes. Gjë që bëri që pacienti të intubohej menjëherë. Në vendngjarje është mbyllur çdo gjë nuk ka më njeri të dëmtuar”, tha ai.
Ministri i Brendshëm Taulant Balla në një prononcim për median tregoi për gjendjen e të plagosurve.
“Sot pasdite, rreth orës 15:37 minuta në zonën industriale të Lushnjes pranë një kompleksi magazinash ka ndodhur një shpërthim ndoshta i shkaktuar për shkak të kontaktit me linjën e tensionit të lartë. Dhe si pasojë e këtij kontakti, për shkak të shkarkimit të rrymës së tensionit të lartë duhet të ketë shpërthyer një mjet eskavator, i cili po bënte punimet në atë zonë. Për pasojë ka humbur jetën në mënyrë të menjëhershme manovratori i këtij mjeti. Në atë zonë bashkë me persona të tjerë që janë 7 në total të plagosur është gjendur edhe deputeti i Lushnjes, Bujar Çela, i cili ka marrë një plagë për shkak të shpërthimit. Vlerësimin përfundimtar do ta jap një hetim i plotë. Këto janë informacione paraprake të dhëna nga policia e shtetit dhe nga ato pak deklarime që janë marrë. Të presim hetimin e plotë“, tha Balla.
Top Channel