Gjykata e Lartë ka zbardhur vendimin e dy ditëve më parë, ku vendosi ta shqyrtojë në seancë të hapur gjyqësore çështjen e tragjedisë së 21 janarit 2011.
Sot gjykata e lartë ka njoftuar për seancën familjarët e viktimave të 21 janarit dhe Rajmonda Nikën si rekursuese. Paditësja është bashkëshortja e Aleks Nikës
Shkak është bërë përpjekja e gjykatës për të njësuar praktikën. “Pasi dëgjoi relatimin e gjyqtarit Sokol Binaj dhe diskutoi çështjen ne tërësi, Kolegji vlerësoi te nevojshëm dëgjimin e palëve për shkak se çështja paraqet rëndësi nga pikëpamja e së drejtës, për njësimin ose zhvillimin e praktikes gjyqësore”- thuhet në vendimin dy faqesh të gjyqtarëve Sokol Binaj, Ilir Panda dhe Sandër Simoni.
Ky vendim i gjyqtarëve të lartë do të thotë që do të thirren palët dhe në një seancë që pritet të ketë përballë secilin pas dy javësh, raporton gazetarja Anila Hoxha. Por të afërmit e Aleks Nikës, për vrasjen e të cilit prej 13 vitesh nuk ka asnjë të re nga hetimet e prokurorisë së kryeqytetit, thanë se SPAK, duhet të fokusohet në hetime edhe ndaj ish-ministrit të Brendshëm Lulzim Basha, ish-kryeministrit Sali Berisha dhe ish-komandantit të gardës, Ndrea Prendi.
Ky qëndrim i familjes Nika, por edhe të afërmeve të tre të vrarëve të tjerë në bulevard, Hekuran Dedës, Ziver Veizit dhe Faik Myrtaj, nuk u pranua nga SPAK me konkluzionin se çështja po hetohej sakaq në Prokurorinë e Tiranës. Në nëntor 2023, Gjykata e Strasburgut shpalli vendimin e radhës për Aleks Nikën, duke gjetur si shkelje mos hetimin dhe mos zbardhjen e vrasjes së tij. Prej vitesh, prokuroria e Tiranës e ka hapur e pezulluar disa herë hetimin për zbardhjen e dy vrasjeve, atë të Hekuran Dedës dhe të Aleks Nikës, por rezultatet kanë qenë vetëm në kuadrin e akuzave nga ana e qeverisë ndaj prokurorëve të kryeqytetit. Dhe nga ana tjetër, qëndrim prapësues nga organi i akuzës së Tiranës që insistoi së fundmi se po kryen hetime.
Megjithatë, veç dënimit të Ndrea Prendit dhe Agim Llupos për vrasjen e Faik Myrtajt dhe Ziver Veizit, fakt është që drejtësia në Shqipëri për më shumë se një dekadë ka dështuar të gjejë se kush i vrau Hekuran Dedën dhe Aleks Nikën. Se kush do ta hetojë 21 Janarin, SPAK apo Prokuroria e Tiranës, kjo do të kuptohet pasi gjykata të dëgjojë palët në seancë.
Top Channel