Protesta në Kuvendin e Kosovës/ Reagimi kundër qëndrimeve të deputetëve për projektligjin e shëndetit riprodhues

29/02/2024 20:22

Dyert e Kuvendit të Kosovës këtë të enjte u mbyllën me një mbishkrim “Deputetët/et nuk kanë mandat me i cenu trupat tanë”.

Grupi “Marshojmë, s’festojmë”, në shenjë simbolike kanë reaguar mbi deklarimet e deputetëve që po e kundërshtojnë projektligjin për shëndetin riprodhues dhe fertilizimin e asistuar që mundëson që këto shërbime të jepen në institucionet publike shëndetësore.

“Eman Rrahmani, Duda Balje, Albena Reshitaj, Visar Korenica e deputetë të tjerë e gënjyen publikun, duke thënë se ky ligj e shkatërron familjen dhe e mundëson incestin. Krejt kjo përderisa në spitalet private në Kosovë dhe jashtë janë duke u derdhur shuma të mëdha parash për realizimin e fertilizimit të asistuar mjekësor”.

Gjuha e përdorur nga këta deputetë dhe akterë të tjerë që kundërshtojnë që me ligj t’u garantohet edhe grave beqare shërbimi i fertilizimit të asistuar është dënuar edhe nga Komisioni Ndërministror Kundër Dhunës Në Familje, Dhunës Ndaj Grave Dhe Me Bazë Gjinore, që e cilësuan si gjuhë të urrejtjes dhe diskriminuese.

Megjithatë, deputetët që nuk e përkrahin projektligjin në fjalë thonë që do vazhdojnë të mbajnë qëndrimet e tyre.

“Asnjëherë, nuk do të mbështesë një ligj që për shkak të tij mund të çojë në inceste, për shkak që me atë ligj i mohohet e drejta fëmijës të dijë se kënd e ka vëlla, kënd e ka babë e kënd e ka motër”, tha Eman Rrahmani-deputet, Lëvizja Vetëvendosje.

“Unë nuk kam fol shumë për këtë ligj, si të vendosë grupi ashtu veproj edhe unë”, u shpreh Duda Balje-deputete, Grupi Multietnik.

Në mungesë të votave nga deputetët e saj, Lëvizja Vetëvendosje pret nga opozita që ta miratojë këtë projektligj.

“Duhet të kthehet prej fillimit, të votohen të gjitha amendamentet me dhe pa mbështetjen e komisionit, qofshin edhe ato që duhet të kundërshtohen dhe pastaj të miratohet”, u shpreh Mimoza Kusari Lila-shefe e grupit parlamentar, LVV.

Ky projektligj përcakton të drejtat e shëndetit riprodhues përfshirë riprodhimin, amësinë e sigurt, planifikimin e familjes, parandalimin dhe trajtimin e përshtatshëm të infertilitetit, shërbimet për parandalimin dhe trajtimin e sëmundjeve të tjera.

Top Channel