Peticioni i hotelierëve, duan diferencimin e subjekteve që paguajnë taksë për përpunimin e ujërave të zeza

29/02/2024 15:28

Bizneset akomoduese në Sarandë janë mbledhur sot për të protestuar ndaj një akti normativ që ka afat 3 mujor implementimi dhe ka hyrë në fuqi në fund të muajit dhjetor të vitit të kaluar dhe detyron të gjitha njësitë e akomodimit të trajtojnë ujërat e ndotura përmes vendosjes së një impianti apo sistemi grumbullimi dhe trajtimi.

Akti prek subjektet që ushtrojnë veprimtarinë ekonomike në zonat bregdetare dhe buzë lumenjve e liqeneve që nuk i trajtojnë ujërat e ndotura dhe i shkarkojnë ato pranë apo në ujëra larëse.

Por, sipas bizneseve në kundërshtim me aktin task forca e ngritur për ta zbatuar atë po i kërkon të gjitha subjekteve pa diferencim investimin për një impiant të tillë deri më 1 Prill të këtij viti. Bizneset pretendojnë se sistemi i shkarkimit të ujërave të zeza për shumicën e tyre është i lidhur me rrjetin qendror të grumbullimit të ujërave të zeza dhe se nuk ka ndotje që shkarkohen në ujë. Logjikisht sipas tyre akti do të duhej të vlente vetëm për subjektet që i trajtojnë ujërat në gropa septike dhe nuk kanë lidhje me rrjetin.

“Ato katër rreshta janë mëse të qarta në lidhje me këtë projekt ose investim të kërkuar. Nëse e lexojmë ashtu siç lexohet nuk kemi përplasje por keqinterpretimi prej ndërmarrjes së ujësjellësit ka bërë që të kontaktohen të gjitha subjektet pa diferencim që të bëhen pjesë e këtij investimi. Të gjitha subjektet që kanë akses në sistemin e kanalizimit për çfarë arsye duhet të implementojnë këtë lloj projekti ndërsa paguajnë taksa dhe detyrime për ujësjellësin. Për ato biznese që janë jashtë rrjetit ndoshta duhet implementuar sepse jemi destinacion turistik dhe duhet ruajtur edhe mjedisi”, shprehet drejtuesi i shoqatës, Arben Çipa.

Një investim i tillë do të kërkonte nga çdo biznes akomodues një kosto mes 15 dhe 85 mijë eurosh në varësi të kapacitetit akomodues.

“Na kanë ardhur kompani që na janë ofruar për të vendosur impiantet e ujërave të zeza. Ne nuk jemi në kundërshtim që t’i vendosim por na thonë shuma të mëdha që shkojnë në 40,50 e 60 mijë euro në një kohë që ne kemi pompat zhytëse, gropat septike dhe i lidhim me kanalin e ujërave të zeza që përfundon në Çukë ku edhe përpunohen”.

Top Channel