Pas ngjarjes së rëndë ku një 61-vjeçar vrau një 40-vjeçar dhe më pas vrau dhe veten në rrugë, detaje të reja kanë dalë në dritë për motivin e krimit që tronditi qytetin e Korçës.
Sipas policisë pista kryesore mbetet ajo e një çështje pronësie pasi babai i autorit të ngjarjes Ilo Lluka, donte t’i linte trashëgimi banesën e tij viktimës Emiljano Pine. Fqinjët e Emiljano Pines dhe banorët e lagjes ku ai jetonte tregojnë se babai i Ilo Llukës, 85-vjeçar jetonte prej gati 4 vitesh me familjen Pine pasi nëna e viktimës kujdesej për të.
Për shkak se i moshuari kishte nevojë për kujdes të vazhdueshëm gruaja e kishte marrë në shtëpinë ku ajo jetonte me qira së bashku me bashkëshortin, djalin dhe nusen e djalit. Sipas fqinjëve vetëm një vit më parë gruaja kishte humbur bashkëshortin ndërsa i moshuari ka vazhduar të jetojë me anëtarët e tjerë të familjes.
“Dëgjova krisma mbrëmë. I thashë gruas mos janë fishekzjarrë dhe nuk dola në moment. Kur dola për të mbyllur derën pashë çfarë kishte ndodhur. Nuk njihja asnjërin prej tyre”, tha një banor i zonës.
“Isha në shtëpi kur ndodhi ngjarja. Dëgjova krisma, dola jashtë dhe i pashë të dy të shtrirë në rrugë. I njihja të dy personat. Emiljano ishte djalë i shkëlqyer. Nëna e Emiljanos e mbante në shtëpi babanë e Ilos prej disa vitesh dhe kujdesej për të, që kur ishte edhe i shoqi gjallë”, tha një fqinjë tjetër.
Ilo Lluka autori i ngjarjes mësohet se jetonte në shtetin grek dhe duket se ka qenë pikërisht vendimi i të atit për ti lënë shtëpinë Emiljano Pine që e ka çuar drejt krimit tronditës. Ai ka shkuar në lokalin ku Emiljano Pine po pinte kafen e ka thirrur atë jashtë dhe e ka qëlluar 4 herë me armë zjarri ndërsa më pas ka qëlluar edhe veten. Emiljano Pine u plagos rëndë dhe humbi jetën gjatë rrugës për në spital ndërsa autori gjeti vdekjen e menjëhershme. Ilo Lluka njihet edhe si përdorues i pijeve alkoolike ndërsa do të përcaktohet nga ekspertiza mjeko ligjore nëse në momentin e ngjarjes ai ka qenë nën efektin e alkoolit ose jo.
Top Channel