Fjalimin e tij drejtuar kombit, presidenti rus Vladimir Putin e ktheu në mënyrën për t`i përcjellë Perëndimit një mesazh të fortë: Dërgimi i trupave të NATO-s në Ukrainë, do të ketë pasoja tragjike, paralajmëroi shefi i Kremlinit.
“Rusia ka armë, të cilat mund të godasin territorin e tyre. Por është retorika perëndimore që po kërcënon një konflikt me përdorim armësh atomike. E gjithë kjo rrit kërcënimin real të një konflikti bërthamor që nënkupton shkatërrimin e njerëzimit”, u shpreh Putin.
Në fjalimin e mbajtur tre javë përpara zgjedhjeve presidenciale në vend, Putin iu rikthye narratives së tij se nisja e pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës ishte e nevojshme për të mbrojtur sovranitetin e Rusisë dhe sigurinë, duke treguar kështu në të njëjtën kohë, se ende ndien nevojën për të justifikuar para popullit rus agresionin ndaj vendit fqinj. Në fokusin e tij ishte megjithatë më shumë Perëndimi, të cilin e akuzoi se “po tenton ta tërheqë vendin në një garë armësh duke “tentuar që të na lodhin”.
Më herët gjatë kësaj jave, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, pas një samiti të liderëve të Evropës të mbajtur në Paris, tha se pavarësisht se aktualisht nuk ka konsensus, nuk duhet të përjashtohet asnjë mundësi për të ndihmuar Ukrainën, përfshirë edhe dërgimin e trupave perëndimore për të luftuar përkrah Kievit, në mënyrë që të parandalohet një fitore ruse. Putini la të kuptohej se një ndërhyrje e tillë perëndimore do të rriste gjasat e një lufte nukleare.
Vetë SHBA-ja dhe aleatë kyc europianë nxituan të garantonin se nuk kanë planë për dërgimin e trupave tokësore në Ukrainë. Putin përcolli pavarësisht kësaj mesazhin se forcat bërthamore të Rusisë janë “në gatishmëri të plotë” dhe shtoi se raketa e re balistike ndërkontinentale, Sarmat, ka hyrë tashmë në shërbimin e tyre, ndërsa është drejt përfundimit testimi i disa raketave dhe dronëve të tjerë bërthamorë.
Top Channel