Kredia e re në janar ka arritur në nivele rekord duke arritur në 23.3 miliardë lekë, rritje me 30% nga një vit më parë.
Kreditimi po vijon në ekonomi pavarësisht rritjes së normave të interesit për lekun dhe euro. Ajo çfarë vihet në tendencat e kreditimit në këtë fillim-vit është se bizneset rritën ndjeshëm kredimarrjen në 16.7 miliardë lekë. Kryesisht rritja erdhi për overdraft dhe kapital qarkullues, ose thënë ndryshe likuiditet.
Shumë prej bizneseve rritën edhe kreditë e marra për blerje pajisjesh si dhe për blerje pasurie të paluajtshme në euro.
Sa i përket individëve gjatë janarit është dyfishuar kredia për blerje banesash në monedhën kombëtare, ndërkohë është ulur kredia në euro për këtë kategori.
Banka e Shqipërisë ka vrojtuar se gjatë 2023-it gjithnjë e më shumë kreditë po merren në lek, për shkak të sigurisë më të madhe që ofron dhe normave të favorshme kundrejt euros.
Ndërkohë një tjetër tregues i rëndësishëm që përfshin nivelin e depozitave tregon se gjatë janarit u shtuan në llogari bankare 37 miliardë lekë apo 6.7% më shumë se një vit më parë. Biznesi ishte kontribuuesi kryesor.
Edhe depozitat në valutë pësuan rritje me 1 miliard euro më shumë apo 16% më shumë se një vit më parë, ku individët ishin kontribuuesit kryesor.
Top Channel