Vrasja e Liridona Ademajt, gjykata e Prishtinës zgjat paraburgimin për Naim Murselin dhe 2 të arrestuarit e tjerë

27/02/2024 17:33

Gjykata e Prishtinës ka vendosur ditën e sotme të lërë në paraburgim edhe për dy muaj të tjerë tre të dyshuarit për vrasjen e Liridona Ademajt, bashkëshortin e saj Naim Murseli, Granit Plavën dhe Kushtrim Kokallën.

Zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi, ka njoftuar se ‘kjo gjykatë ka vendosur vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj Murselit, Plavës dhe Kokallës, të dyshuar për vrasjen e Liridona Ademajt’.

Liridona u vra mbrëmjen e 29 nëntorit, në fshatin Bërrnicë të Komunës së Prishtinës. Për vrasjen e saj janë arrestuar tre persona, e cila sipas dosjeve të hetuesisë dhe prokurorisë, dyshohet se ishte inskenuar. Vrasja e saj dyshohet se u porosit nga bashkëshorti i saj, Naim Murseli, me të cilin Liridona kishte dy fëmijë. Vrasjen dyshohet se e ka kryer Granit Plava, pasi Murseli i kishte premtuar 30 mijë euro. I dyshuar është edhe nipi i Murselit, Kushtrim Kokalla, që ishte pjesëtar i FSK’së.

Sipas Gjykatës Themelore të Prishtinës, Murseli dyshohet se veprën penale “Vrasje e rëndë në bashkëkryerje”, Plava për veprën penale “Vrasje e rëndë” dhe vepën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, derisa Kokalla për shkak të veprës penale “Marrëveshja për të kryer veprën penale Vrasje e rëndë.”.

Motivi i vrasjes ende nuk dihet. Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka deklaruar para disa javësh se po hetohen disa pista, por ende nuk mund të bëhen publike derisa të ketë një përfundim të qartë mbi motivin e vrasjes.

Top Channel