Në Bruksel, mbahet sot takimi i shumëmediatizuar mes Serbisë për Kosovës, fokusi i të cilit, sipas zëdhënëses se BE-së, Nabila Massarali, do të jetë të kërkohen zgjidhje për çështjen e dinarit serb.
Serbia do të përfaqësohet, ashtu sic është përfolur nga kryenegociatori Petar Petkovic, ndërsa Kosova me nivel më të ulët sepse përgjegjësi për negociatat e Prishtinës në dialog me Beogradin, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, e refuzoi pjesëmarrjen.
Nga pala kosovare, pritet të marrë pjesë Guvernatori i Bankës qendrore, Ahmet Ismaili. BQK, në një njoftim tha se kohë më parë ky autoritet ka “shprehur gatishmërinë që të angazhohemi dhe takohemi edhe me Bankën Popullore të Serbisë (NBS), për të lehtësuar procesin e transferimit të mjeteve përmes kanaleve bankare në llogaritë e përfituesve në Euro”.
Autoritetet ndërkombëtare po i kërkojnë Kosovës që ta pezullojë zbatimin e rregullores e cila e përcakton si valutën e vetme në vend Euron, duke e ndaluar kështu në mënyrë automatike përdorimin e dinarit të Serbisë në Kosovë. BE dhe SHBA, thanë se qytetarëve serb të prekur nga kjo rregullore, duhet t’u jepet kohë për t’u përshtatur me situatën e re.
Autoritetet në Kosovë thonë se rregullorja do të zbatohet përmes një tranzicioni të lehtësuar, për një periudhë tre mujore. Ndërsa kryeministri Albin Kurti, insiston në zbatimin e vendimit. Qeveria e Serbisë për çdo vit ndan miliona euro për serbët në Kosovë duke u paguar atyre me dinarë rrogat, pensionet dhe ndihmën shtesë, përmes institucioneve paralele serbe që funksionojnë në Kosovë.
Top Channel