Ish-sulmuesi i Milanit merr “frenat” e Suedisë, kundër Shqipërisë më 25 mars

27/02/2024 09:15

Federata suedeze e futbollit zyrtarizoi këtë të hënë trajnerin e ri, 47-vjeçarin Jon Dahl Tomasson, i cili hyn në histori si i pari josuedez që merr rolin e trajnerit të përfaqësueses së këtij vendi.

Danezi, i njohur nga opinioni sportiv kryesisht si ish-sulmues i Milanit, ishte larguar në fillim të muajit shkurt nga Blackburn Rovers, klub i Championshipit në Agnli, dhe ka firmosur një kontratë të vlefshme deri në fund të kualifikueseve të Botërorit 2026. Në rast kualifikimi në Botëror, kontrata do t’i rinovohet automatikisht.

“Pres me padurim ta nis këtë mision të madh dhe të takoj tifozët, lojtarët dhe, natyrisht, gazetarët e Suedisë. Dua të jem në gjendje të mendoj, të flas dhe të ëndërroj si verdheblu”, tha trajneri i ri i Suedisë në prezantimin e tij.

Joh Dahl Tomasson pritet të debutojë në miqësoren me Portugalinë, më 21 mars, ndërsa katër ditë më vonë Suedia do të luajë me Shqipërinë, në Solna.

Top Channel