Shpërthimi që ndodhi mbrëmjen e kaluar në banesën e një të dyshuari për vrasje ka shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale dhe pasiguri te banorët e zonës.
15 orë pas këtij incidenti, dera e shtëpisë ku ndodhi shpërthimi vazhdon të jetë e hapur. E lënë në mëshirë të fatit, si dëshmi e një ngjarjeje kriminale me pasoja të pambyllura ende, ndonëse Ilir Koçilja, që jetonte i vetëm në këtë banesë, është në gjendje arresti.
Ai pret përfundimin e hetimeve për të dalë para gjykatës, ose rezultatin e ekspertizës për të përcaktuar gjendjen e shëndetit mendor për t’u trajtuar në spitalin burg. Përveç dëmeve në shtëpinë pa njeri të Ilir Koçiljas, 35-vjeçarit të arrestuar për vrasjen e Halil Kokës, janë dëmtuar dhe gjashtë automjete të parkuara në zonë, ndërsa mbi murin e shtëpisë është shkruar “Endacaku vrasës”. Pas shpërthimit, gjatë orëve të natës, policia ka shoqëruar disa persona, kryesisht në cilësinë e personave që mund të kenë dijeni mbi ngjarjen, ndërsa po punon për kapjen e personit të dyshuar. Kamerat e sigurisë në zonë, kanë fiksuar një të ri të veshur me të zeza dhe kapele që përshkon rrugën për te banesa e Koçiljas, pak minuta para shpërthimit.
Koçilja vrau me thikë fqinjin e tij, banor i pallatit përballë Halil Koka, pas një konflikti për parkimin e automjetit pranë shtëpisë së tij, por konfliktet mes tyre kanë qenë të vazhdueshme siç deklaroi Koçilja në seancën për caktimin e masës së sigurisë ndaj tij, tre ditë pas vrasjes së 14 shkurtit.
Top Channel