Një konflikt i armatosur mes Rusisë dhe NATO-s do të ishte i pashmangshëm nëse trupat perëndimore shkelin në Ukrainë paralajmëroi zëdhënësi i Kremlinit, Dimitri Peskov
Komentet e tij erdhën pas deklaratës së presidentit francez Emmanuel Macron se në këtë pikë, nuk përjashtohet mundësia e ndërhyrjes së aleancës ushtarake teksa Kievi përpiqet të shmangë pushtimin në shkallë të plotë të Rusisë.
“Në një rast të tillë, ne nuk duhet të flasim për gjasat që konflikti të ndodhë, por për pashmangshmërinë e tij. Ne kështu e shohim. Këto vende duhet ta gjykojnë me kujdes situatën dhe të pyesin veten nëse kjo përputhet vërtet me interesat e tyre dhe me interesat e qytetarëve të tyre”, u shpreh zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov.
Duke folur përpara liderëve europianë të mbledhur për të diskutuar cështjen e Ukrainës, Macron paraqiti më herët një tablo të zymtë me argumentet se Rusia po forcon pozitat në fushën e betejës, ndërsa gjendja edhe brenda kufijve nuk paraqitet aq problematike sa mendohej pas vendosjes së sanksioneve ndërkombëtare. “Ne jemi të bindur”, tha shefi i Elizesë, “se mposhtja e Moskës është e domosdoshme për sigurinë dhe stabilitetin në Europë”.
Edhe pse e pohoi se aktualisht nuk ka një konsensus për të nisur trupa tokësore në Ukrainë në mënyrë zyrtare. Por në raport me dinamikën e situatës, asgjë nuk duhet të përjashtohet. Ne do të bëjmë gjithçka që duhet për tu siguruar që Rusia të mos e fitojë këtë luftë, tha Macron. Vete presidenti ukrainas Volodymir Zelensky, që iu drejtua takimit të liderëve europiane për Ukrainën përmes një lidhjeje me video, i bëri atyre thirrje të sigurohen që presidenti rus, Vladimir Putin, “nuk mund të shkatërrojë arritjet e tyre e të mos e zgjerojë agresionin e tij në shtete të tjera”.
Top Channel