Avokati i liderit të opozitës ruse Alexei Navalny, i cili humbi jetën në burg rreth dy javë më parë, raportohet se është arrestuar në Moskë.
Sipas burimeve të mediave ruse, Vasily Dubkov u arrestua për “shkelje të rendit publik”. Pas vdekjes së Navalny, Dubkov shoqëroi nënën e tij në koloninë e burgut Arktik ku ai humbi jetën më 16 shkurt.
BBC shkruan se autoritetet ruse nuk e kanë konfirmuar ende arrestimin e avokatit. Në tetor 2023, avokatë të tjerë të Navalny-t, Vadim Kobzev, Igor Sergunin dhe Aleksei Lipster, u arrestuan me akuzën e “ekstremizmit”.
Në janar, Olga Mikhailova, një tjetër avokate e liderit të opozitës, tha se ajo ishte akuzuar për të njëjtin krim dhe vendosi të qëndronte në emigrim.
Autoritetet ruse ndaluan Fondacionin Kundër Korrupsionit, organizatën e drejtuar nga Navalny, për “ekstremizëm” në vitin 2021.
Trupi i liderit të opozitës u mbajt nga autoritetet e burgut për më shumë se një javë pas vdekjes së tij. Nëna e tij, Lyudmila Navalnaya, udhëtoi për në burgun e largët të “Ujkut Polar”, për të marrë trupin e tij.
Trupi iu dorëzua nënës tetë ditë pas vdekjes, ndërsa ajo deklaroi se ishte kërcënuar nga autoritetet, të cilët donin që i biri të varrosej në “fshehtësi”.
Aleatët e Navalny-t kanë thënë se po kërkojnë një vend për të mbajtur një memorial publik për ish-liderin e opozitës. Megjithatë, sekretarja e shtypit të liderit të opozitës ruse, Kira Yarmysh, tha të martën se shumica e vendeve të funeralit që ata kishin kontaktuar kishin refuzuar të lejonin një ceremoni në ambientet e tyre.
Top Channel