Goli i Luka Modric ishte vendimtar të dielën në mbrëmje, për t’i dhënë Real Madrid-it fitoren ndaj Sevilla-s në ndeshjen e La Liga-s, por e ardhmja e veteranit kroat të mesfushës në Bernabeu duket shumë e pasigurt.
Kontrata e tij skadon më 30 qershor, një situatë e përjetuar tashmë sezonin e kaluar, e cila dukej si një lamtumirë, por që në fund solli rinovimin e kontratës së Modric me madrilenët.
Megjithatë, zërat për largimin e Modriç këtë verë sa vijnë e shtohen, ndërsa vlen të theksohet se në shtator kroati do të bëjë 39 vjeç.
Ideja e mesfushorit është që të vazhdojë me futbollin e luajtur dhe për sa kohë të jetë të Real Madrid të mbajë rol titullari, por planet e klubit këtë herë duket se po ecin në drejtim të kundërt.
Në përpjekje për të sqaruar këtë çështje, trajneri Carlo Ancelotti foli në konferencën për shtyp pas fitores ndaj Sevilla-s, teksa theksoi se nuk e di nëse Modric do të pëlqejë të qëndrojë në rolin e zëvendësuesit te “Los Blancos”.
“E gjitha është në dorën e tij, varet nga ai si Kroos dhe Nacho. Ai është një djalë i mirë, shumë modest, e dua, por nuk e di nëse do të dëshirojë të qëndrojë në rolin e zëvendësuesit. Si mund ta ndihmoj? E vështirë… E kuptoj Luka-n nëse është i trishtuar, por nuk është fundi për të. E gjithë bota mendon kështu, përveç tij! Këmbët dhe energjitë i ka akoma shumë mirë, jo nuk është fundi i karrierës… Shikoni cilësitë që ka!”-deklaroi Ancelotti.
Top Channel