Shefi i Krimeve të Rënda në Durrës, Elton Shahin, deklaroi se tre fëmijët dhe bashkëshortja e Pëllumb Metës janë marrë disa herë në pyetje pasi e denoncuan të zhdukur.
Ai tha se familjarët i vunë në dijeni se viktima kishte varësi nga alkooli dhe ishte larguar edhe herë të tjera nga banesa, madje pretenduan se ai vuante nga problemet mendore.
Gjatë marrjes në pyetje për të disatën herë, Shahini deklaroi se ka qenë Hysen Meta ai i cili ka qenë i pari që pretendoi se babain e kishte vrarë motra e tij Hygerta Meta. Shefi Krimeve të Rënda shtoi më tej se ata e kishin krijuar të gjithë fabulën, ku secili kishte rolin e tij në këtë krim.
“Pasi fëmijët bënë kallëzim për humbjen e babait kanë deklaruar se nuk ishte hera e parë që largohej, nga dy deri në 10 ditë, ata thonin se ishte konsumues dhe kishte probleme mendore. Më pas është gjetur makina e Pëllumbit, rreth 2-3 kilometra larg nga banesa e viktimës. Pasi u gjet mjeti u kërkua në këtë sektor, pasi menduam që trupi mund të ishte pranë makinës. Më pas janë marrë sërish familjarët, teksa jepnin versionin e tyre. Ne kishim dyshime se personi nuk kishte konflikte dhe ngulëm këmbë se ishte diçka e brendshme. I vumë përpara faktit që është diçka e brendshme. Hyseni gjatë intervistimit na tregoi se çfarë kishte ndodhur duke e shpallur fajtore Hygertën.
Fillimisht Hygerta kishte një fabul shumë të bukur që e kishin bërë ndërmjet tyre, na çoi tek kasollja, ku tregonte se i kishte bërë të gjitha vetë. Të gjitha këto na lanë të dyshonim se s’mund ta bënte ajo. Familjarët e kishin ndarë rolet më parë. Esenciale ishte se këqyrëm banesën dhe tek divani gjetëm një predhë të armës së zjarrit. Fillimisht është gjetur vetëm predha, më pas janë marë mostrat e gjakut. Impresioni im është që jam habitur, dhe janë marë dy herë intervistimet e tyre. Ata ishin të qetë, të gjithë. Menduam që këtu nuk kemi asgjë. Pas kësaj që u gjet motivi dhe viktima këta kanë pasur çiltërsi dhe qetësi, as pendim.
Nuk kisha parë asnjë rast të tillë. Nuk e mora të mirëqenë që ishte fejesa me shkuesi për vajzën. Nga deklarimet e tyre ata kanë pasur stres të vazhdueshëm gjatë kësaj kohe, dhunë fizike dhe psikologjike. Kemi të dhëna se ky person punonte tek tregu dhe ishte person i qetë, por në familje ushtronte dhunë. Nga familjarët është deklaruar, nuk është konfirmuar ende, pasi s’ka pasur asnjë denoncim. Kur kishim vajzën dhe mamanë në zyrë, i thamë që pse s’jeni ankuar në polici. Nuk përgjigjeshin, kishin trysni të vazhdueshme nga viktima. Çështja është në hetim, por deri diku tabloja është e zbardhur, motivet deri diku ato që kemi janë të qarta.
Kjo është një krim makabër që do të shqyrtohet gjatë, unë gjatë intervistimet që bëmë me vajzën, e pyesja, ishte studente e gjuhëve të huaja, që kur të mbarosh shkollën çfarë do të bësh. Se doja ta nxirrja që se kishte bërë ajo. I thashë si mund ta bëje këtë gjë kur ke këto ëndrra, dhe më tha që kur është dhuna prishen ëndrrat”, tha shefi i Krimeve të Rënda në Durrës, Elton Shahini.
Top Channel