Dëshmia e vajzës 19-vjeçare që vrau të atin.
“E vrava se donte të më fejonte me zor. Nuk kisha rrugëdalje tjetër dhe mora pistoletën e qëllova mbi të. Gjithçka e bëra vetë”, mësohet të ketë thënë vajza në polici.
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Durrës, ku një 19-vjeçare ka vrarë babanë e saj.
Pas 10 ditësh hetime është gjetur trupi i pajetë i 50-vjeçarit Pëllumb Meta, i cili dyshohet se është vrarë me armë zjarri dhe është varrosur brenda rrethimit të banesës nga vajza e tij.
Policia ka arrestuar 19-vjeçaren, e dyshuar si autore e vrasjes së babait të saj.
Më datë 13 shkurt rreth orës 22:30, 25-vjeçari H.M nga fshati Shënavlash Durrës, ka denoncuar në polici se babi i tij është larguar nga banesa dhe kanë humbur kontaktet me të. Në datën 17 shkurt është bërë e mundur gjetja e automjetit të 50-vjeçarit, të parkuar në aksin rrugor Shënavlash-Sektor Rinia.
Nga hetimet, u zbulua se Pëllumb Meta nuk ishte zhdukur, por ishte vrarë në banesën e tij. vajza e tij 19-vjeçare Hygerta Meta, ka deklaruar se motivi i vrasjes ka qenë nxitja prej babait, për t’u fejuar pa dëshirën e saj, si dhe konfliktet familjare që kanë patur.
Grupi i posaçëm hetimor po vijon hetimet e thelluara për të identifikuar dhe vënë përpara përgjegjësisë ligjore, shtetas të tjerë të implikuar në këtë ngjarje. Trupi i shtetasit P. M. është zhvarrosur dhe është transortuar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për kryerjen e ekspertizës së mëtejshme.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
Top Channel