Agjenti i Marash Kumbullës, Gianni Vitali ka dhënë një intervistë ku ka folur për shumë detaje që lidhen me formën, qëllimet dhe të ardhmen e mbrojtësit të kombëtares shqiptare të futbollit.
“Marash ka rikuperuar formën e tij dhe mezi pret të futet në fushë për të dhënë kontributin e tij dhe për të ndihmuar Sassuolon. Ai zgjodhi këtë destinacion sepse ishte i bindur për të kaluar te kjo skuadër. E përsëris, ai mezi pret të ndihmojë”-deklaroi ai.
Më tej, duke folur për qëllimet e shqiptarit, agjenti theksoi se Kumbulla dëshiron që të luajë sa më shumë duke ditur se në verë është EURO 2024 dhe ai do të dëshironte të ishte pjesë e skuadrës së “kuqezinjve”.
“Ai e vendos gjithmonë skuadrën para vetes. Objektivi i parë është të ndihmojë Sassuolon të shpëtojë, ndërsa personalisht ai dëshiron të kthehet në fushë dhe të gjejë formën më të mirë edhe sepse në verë është Kampionati Evropian, një ngjarje e cila është veçanërisht e rëndësishme”-vijoi Vitali.
Ndërsa sa i përket të ardhmes dhe rikthimit të mbrojtësit te Roma, agjenti shtoi se mbrojtësi ka një kontratë shumë të gjatë me “verdhekuqtë” e Italisë.
“Zgjedhja për të ardhur në Sassuolo ishte një zgjedhje sportive, në këtë moment duhet të mendojë për Sassuolo-n, objektivat e kësaj skuadre dhe për të bërë mirë me të. Më pas, ai është në pronësi të Romës, kjo nuk është sekret, ai ka një kontratë ende të gjatë. Ai ka lënë një derë të hapur që do të rihapet, por tani ai nuk po mendon se çfarë do të ndodhë me Romën gjatë rrugës. Ai është i fokusuar vetëm te Sassuolo”-u shpreh Gianni Vitali. /Supersport
Top Channel