Nuk ka qetësi në Federatën Shqiptare të Peshëngritjes pavarësisht rezultateve dhe medaljeve të fundit në Europianin e Sofies ku Briken Calja në peshën e vetme olimpike deri në 73 kg u rendit në vendin e katërt dhe dy sportistët e tjerë në peshën deri në 81 kg, Kristi Ramadani mori dy medalje të argjendta dhe Erkand Qerimaj një medalje në një stil.
Është pikërisht ky i fundit që ka publikuar në faqen e tij në Facebook disa akuza ndaj presidentit Elez Gjoza, që sipas sportistit lidhen me një skandal dopingut të fshehur. Top Channel ju drejtua federatës së peshëngritjes, ku presidenti Gjoza u përgjigjet akuzave.
“Unë në këtë moment që flasim nuk kam asnjë e-mail zyrtar nga NADO-s (Agjencia shqiptare e antidopingut) dhe aktualisht nuk kam asnjë përgjigje për ndonjë sportist pozitiv. Erkandi nuk e di ku e gjen këtë guxim për të akuzuar, por përgjegjësia është personale. Mua në momentin që më vjen një e-mail nga ITA, WADA apo NADO (pranë MInistrisë së Sporteve) do ta bëjë publik”, tha Elez Gjoza, president i FSHP.
Në të vërtetë, Top Channel ka mësuar se bëhet fjalë për sportist të ekipit të Teutës së Durrësit, që për etikë përderisa nuk ka një përgjigje përfundimtare nuk po publikojmë detaje, pasi ende është në proces të verifikimit të medikamenteve apo vitaminave që ai ka konsumuar. Por akuza e Qerimajt ndaj Gjozës vijon edhe në çështje më personale që lidhen me famijel.
“Pjesa tjetër më denigruese është që Erkandi nuk ka përse të hynë familjen time. Pasi unë ta dijë Erkandi dhe e Gjithë Shqipëria, që unë nusen time do ta marr në çdo aktivitet, pasi me paratë e mija nuk pyes as Erkandin dhe as askënd se çfarë do të bëj. Ky është një dezinformim për interesa personale të vogla. Unë shumë shpejtë do t’i drejtohem gjykatës”, tha Elez Gjoza, president i FSHP.
Megjithatë debatet duket të kenë nisur për Botërorin e ardhshëm. Në Olimpiadë lejohet të marrë pjesë vetëm një sportist në një nga 5 peshat e përcaktuara dhe në bazë të koeficienteve dhe rezultateve apo pritshmërive, federata e peshëngritjes mund të mbështesë vetëm Briken Caljan.
“Konkretisht me koeficient siklariteti, Briken Calja është kandidati dhe unë si ish-sportist, trajner dhe tani president i federatës së peshëngritjes, mendoj që 100% Brikeni do të jetë i kualifikuari në Olimpiadë pas Botërorit të Tajlandës muajin e ardhshëm”, tha Gjoza.
Po si po përgatit Botërori dhe Olimpiada në këtë situatë të turbullt, që do të jetë i fundit për të dy sportistët pretendent Brien Calja dhe Erkand Qerimaj.
“Në një vend që ka suksese ka edhe ambicje, ka edhe fjalë të tepërta të cilat koha vetë i shoshit. Unë jam honorifik, mua s’më penguan as Erkandi, as Brikeni as Kristi as njeri. Ky është pasion që e kam ndër vite, vërtet jam kokëfortë unë nuk hap rrugë, dhe skam për t’i hapur kërrkujt rruge deri sa unë drejtoj federatën e peshëngritjes”, tha Gjoza.
Top Channel