“Djali i familjes ka kryer qitjen”/ Policia e Durrësit zbardh vrasjen e Pëllumb Metës: Nuk kemi të bëjmë me një konflikt të çastit, fëmijët e planifikuan

23/02/2024 18:21

Drejtori i Policisë së Durrësit, Skënder Hitaj ka zbardhur detaje tronditëse nga vrasja e 50-vjeçarit Pëllumb Meta në Shënavlash.

Përmes një deklarate për shtyp, Hitaj theksoi se krimi i paramenduar ka ndodhur brenda një dhome të shtëpisë dhe më pas kanë transportuar trupin e pajetë të babait të tyre duke e varrosur pranë një kasolleje në oborr. Megjithëse ekzekutori ishte i vëllai, vajza fillimisht ka marrë përsipër krimin për faktin se motivi i vrasjes kanë qenë debatet familjare dhe nxitja e babait që ajo të fejohej me një person kundër dëshirës së saj.

Hitaj: Vrasja ka ndodhur në banesë dhe më pas e kanë zhvendosur kufomën në kasolle ku dhe e kanë varrosur. Është gjetur edhe pistoleta model 54 në një zonë moçalore të quajtur Vaska, pranë banesës së tyre. Nga veprimet hetimore rezulton se djali i familjes ka kryer qitjen dhe ka qenë ekzekutori i ngjarjes së rëndë. 19-vjeçarja ka qenë e përfshirë në këtë ngjarje dhe motivi i vrasjes ka qenë se kjo dhe familjarë të tjerë kanë pasur debate me të atin për shkak të nxitjes së babait që vajza e tij të fejohej me një person kundër dëshirës së saj.

Kush ishte iniciator që u zbulua se nga i humbur ka qenë një vrasje?

Hitaj: Në momentin që kemi marrë këtë kallëzim kemi pasur dyshimet tona. Nga informacionet tona që morëm në zonë na tregoi se nuk ishte një humbje apo zhdukje, por diçka më tepër. Në këtë rast nuk kemi të bëjmë me një konflikt të çastit, por një zjarr të menduar nga dy fëmijët e tij.

A ka të implikuar të tjerë në këtë ngjarje?

Hitaj: Me hetimet do të zbulojmë rrethanat.

A ka pasur të tjerë të pranishëm në momentin e kryerjes së krimit?

Hitaj: Nëse do të kishte do të ishin arrestuar edhe ata.

E ka pranuar ekzekutori akuzën?

Hitaj: Po, e ka pranuar. Është bërë sqarimi i ngjarjes. Motra fillimisht mori përsipër akuzat pasi ishte bërë për të, por pas punës intensive hetimore Hysen Meta ka pranuar krimin. Mjekësia ligjore ka konfirmuar datën 10 shkurt si ditë të vrasjes.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA