Fiks Fare/ Qendra Shëndetësore kthehet në hambar me jonxhë, 60 familje të dy fshatrave pa shërbim mjekësor. I vetmi infermier iku në Gjermani

22/02/2024 20:45

Prej tre vitesh banorët e dy fshatrave Luftinjë dhe Rrapaj janë pa mjekë, pa infermierë dhe pa qendër shëndetësore.

Ndërtesa e qendrës shëndetësore të Luftinjës është kthyer në vendgrumbullim për ushqimin e kafshëve. Në vend të krevateve të pacientëve, gjen jonxhë të tharë për bagëtinë.

Në Rrapaj, qendra shëndetësore është një godinë pothuajse e rrënuar. Sot kanë ngelur 4 muret, sepse mjekë dhe infermierë nuk ka.Të gjithë kanë ikur në Gjermani dhe askush nuk është kujdesur për zëvendësimin e tyre prej vitesh.

Banorët e këtyre 2 fshatrave janë të detyruar të jetojnë prej 3 vitesh pa shërbimin shëndetësor. Shumica prej tyre janë të moshuar dhe me sëmundje kronike, detyrohen të udhëtojnë kilometra të tëra për të shkuar në Memaliaj për të marrë shërbimin shëndetësor më elementarë.

Fiksi kontaktoi me kryeplakun e fshatit, z. Enver Rrapaj, i cili tregon se 60 familje të këtyre dy fshatrave prej tre vitesh nuk e marrin shërbimin në qendrat shëndetësore të fshatit.

Z.Rrapaj shprehet se ka bërë disa kërkesa që t’u vihen në dispozicion staf mjekësor dhe godinë, por nuk ka marrë një zgjidhje për problemin. Edhe kryeplaku që ka qenë para tij ka bërë gjithashtu kërkesa dhe i është thënë që deri në momentin që do të gjendet një zgjidhje, shërbimin banorët do e marrin në shtëpi ku do lajmërojnë infermierët e fshatrave të tjerë.

Gazetarët e Fiksit kërkuan një informacion më të detajuar në drejtorinë e Njesisë Vendore të Kujdesit Shëndetësorë, Tepelënë. Drejtori i kësaj njësie, Eugert Goxharaj, tha se është në dijeni për këtë problem dhe se këto qendra shëndetësore janë në planin e projektit që vetë Ministria e Shëndetësisë ka bërë për këto qendra shëndetësore. Gjithashtu thekson se brenda vitit do të fillojnë me rikonstruksionin e tyre.

Por kryesor mbetet shqetësimi lidhur me mungesën e stafit që ka pasur në këto qendra. Ai thotë se i vetmi infermierë që kishte ngelur në fshat u largua drejt Gjermanisë. Dhe kjo ka qenë dhe një arsye tjetër e mbylljes së kësaj qendre.

FOTO GALERI
1/6

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA