Një komentator i njohur ushtarak rus është gjetur i vdekur, sipas raportimeve nga vetëvrasja, pasi kishte dokumentuar humbjet e rënda të ushtrisë së Vladimir Putin në lindje të Ukrainës.
Korrespondenti pro-luftë Andrei ‘Murz’ Morozov zbulonte se 16,000 ushtarë janë vrarë gjatë betejës mizore për marrjen e qytetit të Avdiivka, që është kthyer tashmë në një shkretinë të mbushur me rrënoja.
Vdekja e tij u raportua sot nga kanalet ruse ‘Fantazma e Novorossiya’ dhe ‘Soldatskaya Pravda’, dhe ka ngritur një seri pyetesh mbi shkaqet.
Avokati Maxim Pashkov, i cili pretendonte se kishte folur një natë më parë me Morozov tha se ai kishte vrarë veten.
Në një seri postimesh në rrjetin Telegram ai thoshte se i ndjeri kishte paralajmëruar ndarjen nga jeta në një letër vetëvrasjeje të lënë, duke u kërkuar lexuesve të “mos trishtoheshin për vdekjen e tij”.
Sipas raportimeve, 44-vjeçari ankohej për përndjekje politike dhe se ishte detyruar të fshinte disa video nga kanali i tij në rrjetin Youtube, ku tregoheshin humbjet ruse në rajonin Donetsk shkruan rrjeti britanik Metro.co.uk.
Disa ditë para vdekjes Morozov raportonte se 16,000 ushtarë ruse ishin vrarë në betejën mizore të Avdiivka dhe rreth 300 blinda ishin shkatërruar, lajme që ishin refuzuar dhe kritikuar nga propagandistët rusë.
Marrja e qytetit dy ditë më parë, është quajtur fitorja më e madhe për ushtrinë e Putin pas betejës së përgjakshme në Bakhmut, në maj 2023.
(Pamje te renda lufte)
Rusia thuhet se kontrollon tashmë qytetin strategjik me rreth 32,000 banorë por kostoja njerëzore është e pamendueshme, megjithë tërheqjen e ushtrisë së Ukrainës.
Rreth 17,000 ushtarë rusë raportohet se janë vrarë prej tetorit 2023 kur nisi sulmi ndaj qytetit, tha përfaqësuesi ushtarak i Ukrainës Dmytro Lykhovii.
Pamje të publikuara nga Rusia për sulmet në Avdiivka tregonin thuajse çdo shtëpi të shkatërruar atje.
Më shumë se 50 000 ushtarë rusë kanë mbetur të vdekur në konfliktin në Ukrainë, ndërsa nga pala ukraianse raportohet e janë disa herë më shumë. Rreth 120 000 ushtarë ukrainas janë vrarë vetëm në kundër-ofensivën e nisur vitin që shkoi nga presidenti Zelenski, sipas rrjetit Wikipedia.
Top Channel