Prodhuesit britanikë të armatimeve BAE Systems, fitime rekord nga luftërat në Ukrainë e Izrael-Gaza (fotot)

21/02/2024 15:17

Shtimi i shpenzimeve në armatime të nxitura nga lufta në Ukrainë dhe konflikti Izrael-Gaza i ka sjellë fitime rekord prodhuesve britanikë të armëve ‘BAE Systems’ vitin e kaluar, teksa rritje e mëtejshme pritet dhe në vitin në vijim.

Kompania e listuar në bursën FTSE 100 regjistronte fitime në 2.7 miliardë paundë pa llogaritur interesin, nga shitjet e armëve në rreth 25.3 miliardë paundë në vitin 2023, shkruan e përditshmja The Guardian.

Aksionet e kompanive të armatimeve në përgjithesi janë rritur në dy vitet e fundit pas nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë në shkurt 2022 teksa qeveritë kanë rivlerësuar planet e tyre të shpenzimeve ushtarake.

Lufta brutale në Lindjen e Mesme e nisur më 7 tetor ishte një tjetër faktor, e nxitur nga sulmi i papritur i Hamas brenda Izraelit ku raportohet se u vranë rreth 1000 izraelitë, çka u pasua më një fushatë të gjerë bombardimesh nga ushtria izraelite në Gaza, ku kanë humbur jetën më shumë se 25 000 palestinezë.

Ndërkohë grupi britanik BAE Systems shton fitimet e saj teksa ka zgjeruar interesat dhe në ndërtimin e nëndetëseve, tankeve dhe avionëve luftarakë, përveç armëve e municioneve.

Kreu i saj Charles Woodburn, tha se prodhuesi priste rritje të mëtejshme biznesi në vitet në vijim.

“Mungesa e stabilitetit në Evropë dhe në Lindjen e Mesme, ashtu si dhe në pjesë të tjera të botës ka sjellë në fokus rolin tonë në mbrojtje të sigurisë kombëtare”, tha ai sot për gazetarët.

“Megjithse shumica e volumit të shitjeve vjen nga programe ekzistuese para konfliktit në Ukrainë, porosi të reja kanë ardhur për blinda të rëndë dhe municione”.

BAE është krijuar në 1999 nga shkrirja e grupeve Marconi Electronic Systems dhe kompanisë shtetërore britanike të aeronautikës British Aerospace, e Hawker Siddeley.

Grupi është përfshirë dhe në kontratën e fundit për ndërtimin e nëndetëseve bërthamore për Australinë, për të cilën Franca u ankua se i takonte asaj, si dhe një seri pajisjesh të luftës ajrore për Italinë, Japoninë e Britaninë.

Ëoodburn tha se ishte i kënaqur me vlerësimet në bursën e Londrës.

Ai shtonte se BAE Systems nuk do të bëjë si kompani të tjera që po listohen në bursën e SHBA, pasi biznesi po ecën mire dhe qeveria e ndalon të bjerë në pronësi të huaj.

FOTO GALERI
1/5
Aksionet e kompanive të armatimeve në përgjithsi janë rritur në dy vitet e fundit pas nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë në shkurt 2022

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA