I dyshuar për vrasjen e 20-vjeçarit në Oslo dhe i lidhur me ISIS-in/ Kush është shqiptari Visar Avdyli, i arrestuar në Kosovë

21/02/2024 14:34

Një prej personave të shpallur në kërkim për vrasjen e një 20-vjeçari në Oslo në tetor të vitit 2021 ka rënë në pranga.

Sipas Policisë së Norvegjisë, autorë ishin vëllezërit Visar dhe Valon Avdyli, të cilët një ditë pas krimit, ishin parë për herën e fundit teksa po shkonin në Kosovë.

Njëri prej tyre, Visari, është arrestuar sot në Ferizaj, sipas Policisë së Kosovës.

“Personi i arrestuar, me inicialet V.A., i lindur në vitin 1989, ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet norvegjeze për veprën penale “vrasje” të kryer në Oslo më 07.10.2021. Personi i arrestuar përveç shtetësisë kosovare, posedon edhe shtetësi norvegjeze, ndërsa në momentin e arrestimit të njëjtit i është gjetur një armë zjarri si dhe disa pasaporta të shteteve të tjera të cilat me gjase janë te falsifikuara”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Dy vëllezërit kishin të kaluar kriminale, ku ishin dënuar për bashkëpunim dhe lidhje me organizatën terroriste ISIS,  ku kishte humbur jetën edhe vëllai tjetër i tyre, Egzon Avdyli.

Kujtojmë se më 7 tetor të vitit 2021 Oslo u trondit nga vrasja e Hamse Adan, i cili u qëllua me armë zjarri afër shkollës në vendin që njihet Lofsrud.

Institucionet e Norvegjisë menjëherë shpallën në kërkim dy të dyshuarit kryesorë Valon e Visar Avdyli, shqiptarë të Kosovës.

Në nëntor të vitit të kaluar, Valoni u arrestua në Turqi.

“U ndanë burime të mëdha për të hetuar rastin. Dy ditë pas vrasjes, vëllezërit u larguan nga vendi. Disa ditë më vonë ne patëm një përparim në këtë çështje që do të thotë se ne i akuzuam ata për vrasjen”, pati thënë prokurori i policisë Børge Enoksen në konferencën për shtyp.

“Policia norvegjeze ka ndihmuar në këtë transport. Ai zbarkoi në Gardermoen pak para orës 17:00 dhe është arrestuar për vrasjen e Adanit. Tani ai është rrugës për në stacionin policor për të shpjeguar veten për rastin”, kishte deklaruar Enoksen.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA