Fiks Fare/ Japin 20 mijë lekë në muaj dhe vaj ulliri, ndryshe largohen dhe ofendohen nga përgjegjësja

21/02/2024 20:40

Emisioni Fiks Fare solli rastin e punonjëseve të Pastrim Gjelbërimit në Fier të cilat ankohen se përgjegjësja e tyre i ofendon dhe heq ditën e punës nëse nuk i japin vaj ulliri ose para.

Njëra prej punonjëseve, Lavdie Haxhiraj tregoi për Fiksin se përgjegjësja sillet shumë keq me të që kur nuk i jep më vaj ulliri, sepse në fillim i jepte. “ Që kur i preva vajin ka ndryshuar, ajo na kërkon që ta marrim në telefon e t’i marrim leje dhe kur shkojmë në banjo, dhe kur hamë bukë, kur na gjen duke ngrënë ngrihemi me vrap si bagëtia nga frika” thotë Lavdia.

Fiksi solli edhe dëshminë e një tjetër punonjëseje e cila edhe pse e sëmurë me kancer është detyruar t’i japë përgjegjëses çdo muaj 20 mijë lekë . “ Unë i kam dhënë çdo muaj. Më merren mua lekë? Hahen lekët e mija unë me kancer? Ajo nuk i kërkon por ta bën situatën të tillë që t’ja japësh ose të dhunon psikologjikisht” i thotë një punonjëse koleges.

Madje sipas saj të gjitha punonjëset i japin para, njëra që nuk i ka dhënë është larguar nga puna. “Njëherë që nuk i dha njëra , thoshte në prezencën tonë k…. b…. si nuk më dha lekët” thotë punonjësja.

Fiksi solli ofendime që përgjegjësja i bën punonjëses, duke i thënë se mban erë dhe nuk të dua afër ndaj duhet të qëndronte lart në rimorkjo të makinës së punës “Nuk të dua afër, nuk dua të të duroj erën, shko ankohu” i thotë përgjegjësja punonjëses.

Gazetarët e Fiksit komunikuan edhe me përgjegjësen znj. Irma Dervishi e cila është thirrur edhe nga drejtori i saj bashkë me punonjësen dhe për to është mbajtur një procesverbal që vërteton se të dyja kanë ofenduar rëndë njëra tjetrën në prezencë të drejtorit madje kanë thënë se konfliktin do ta zgjidhin privatisht.

Në bisedën me gazetarët znj.Dervishi mohon të gjitha ato që thonë punonjëset madje edhe ofendimet për erën, të cilat Fiksi i solli me zë dhe figurë. Dhe jo vetëm aq, por ajo tha se nuk e ka ofenduar punonjësen në prezencë të eprorëve dhe ai procesverbal nuk është i vërtetë. Edhe pse mban firmat e dy eprorëve të saj. Ndërkohë pranon se për çdo vajtje në tualet punonjëset duhet t’i marrin leje në telefon.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA