“Fol shqip”, nisma e Autoritetit të Mediave Audiovizive që ka në mbikqyrje televizionin për mbrojtjen e gjuhës shqipe nga fjalët e huaja po zgjerohet më tej në takime të frytshme mes gazetarëve dhe gjuhëtarëve.
Tryeza e përbashkët me në qëndër të bisedimeve ruajtjen e shqipes, pati propozime të vlefshme për të rregulluar raportimin e gazetarëve përballë shikuesve.
“Duhet të forcohet më shumë bashkëpunimi gazetarë dhe gjuhëtarë. Unë e di që gabimet shpeshherë bëhen nga shpejtësia, sepse koha është e shtrenjtë në redaksi, por thirrja ime në këtë tryezë është ndërgjegjësuese: kushtoni rëndësi shqipes vetëm 30 sekonda më shumë për të përzgjedhur fjalët që do flisni apo do të shkruani”, tha Armela Krasniqi-drejtoresha e AMA-s.
“Pastërtia e gjuhës nuk është vetëm çështje shkencore por edhe çështje e rëndësishme kombëtare. Mediat tona duhet të jenë në ballë të përhapjes së gjuhës shqipe. Gazetarët, folësit sot luajnë rolin e mësuesit të gjuhës shqipe”, u shpreh Gjovalin Shkurtaj-gjuhëtar.
“Është e thjeshtë të kritikojmë median për terminologjinë e huaj të përdorur në disa zhanera televizivë, si hard talk, reality show, showbizz, por këtu duhet të ndihmojnë gjuhëtarët duke ju dhënë fjalën gjegjëse në shqip. Se ne themi të mos i përdorin, ata kërkojnë: Më tregoni si ta them në shqip? Ndaj duhet që disa anglicizma të përfshihen në fjalorin e ri të shqipes që po hartohet”, deklaroi Linda Mëniku-gjuhëtare.
“Propozoj të organizohen takime e të bashkëpunohet me Institutin e Gjuhësisë dhe të dëgjojnë kritikat”, tha Meleq Shopi-gjuhëtare.
“Ka nevojë për lexim pa rreshtur. Këtu është thelbi, për të ruajtur gjuhën amtare”, u shpreh Anila Omari-gjuhëtare.
“Mos u ngutni” është këshilla e gjuhëtarëve ndaj punonjësve të medias, e vlerësojnë me rëndësi kujdesin e shtuar ndaj përdorimit të saktë të gjuhës shqipe në përcjelljen e informacionit te publiku.
Top Channel