Duke nisur nga ora 20:30 e mbrëmjes së sotme Milaim Zeka do të vijë në Top News me “Zona 0”.
Emisioni që do të jetë një “shkollë e dëgjimit”, siç thotë vetë Zeka, do të vërë përballë publikut personazhe të shumtë të fushave të ndryshme në vend, e do të trajtohen tema politike, të drejtësisë, shoqërisë, ekonomisë dhe kulturës.
“Unë dëshiroj të sjell minimalisht “një shkollë të dëgjimit”. Unë si moderator do të pyes dhe do të dëgjoj, por pastaj do të të gozhdoj për mos-përgjigjet që 90 përqind e mysafirëve, pyeten për domate dhe ata përgjigjen për kastraveca. E dyta, do ta çoj bisedën aty ku e kam filluar. Nuk mundet një njeri të vijë në studio e të pyetet për pavarësinë e Kosovës, për shembull, dhe ai të flasë për Albin Kurtin. Ne moderatorët kemi një rol dhe një mision, që të sjellim njerëz të mirë në studio dhe të krijojmë modele të mira për shikuesit dhe dëgjuesit. Motoja e emisionit tim nuk do të jetë për klikime, por për shikime. Sonte për shembull do të kemi befasi, kemi ekskluzivisht pavarësinë e Kosovës, por brenda kësaj do të kemi edhe dëshmi të njerëzve që do të tregojnë se si erdhëm deri tek pavarësia, një rrëfim ekskluziv nga ambasadori ynë në Zvicër, i cili për herë të parë do të tregojë se kush ua koordinoi takimin sekret me Richard Holbrooke. Ne dimë shumë pak gjëra të luftës, për shembull: Sa ka qenë Shqipëria e përfshirë. Brezi këtu, nuk e di që Adem Jashari ushtrimet e para ushtarake i ka bërë në Shqipëri”, tha Zeka ndër të tjera.
“Zona 0” një brand i Top News do të shoqërojë publikun çdo të hënë në orën 20:30 nën moderimin e Milaim Zekës.
Top Channel