Intelektualët letër AMA-s: Largo sharlatanët nga televizioni. Manjani: Një pjesë e juaja keni ves spiunllikun, mendoni se monizmi është më i mirë se pluralizmi

19/02/2024 13:38

Një grup intelektualësh në vend, përfshi akademikun Rexhep Qosja, ish-Presidentin Bamir Topi, historianin Pëllumb Xhufi dhe profesorin e gjuhësisë, Xhevat Lloshi kanë nënshkruar një letër ku i kërkojnë AMA-s të ndërhyjë në emisionet e televizioneve për të mos i dhënë hapësirë promovimit të dijeve amatoreske dhe sharlatanizmit, sicc e quajnë ata.

Intelektualët theksojnë në këtë letër se niveli i ulët i informacionit shkencor në një pjesë të mediave tona, promovimi i dijeve amatoreske, i një etimologjie vulgare dhe sharlatanizmi kanë krijuar një situatë alarmante.

“Disa studio televizive janë kthyer në platforma për individë të papërgatitur nga ana shkencore, të cilët promovojnë idenë se shqipja është gjuha më e lashtë në botë dhe nëna e të gjitha gjuhëve, se të gjitha gjuhët e botës shpjegohen me anë të shqipes, se ajo është gjuhë e natyrës, se kjo gjuhë nis me fillesat e njerëzimit etj. Formulime të tilla nuk kanë asgjë shkencore dhe, si të tilla, kultivojnë psikoza të sëmura e të rrezikshme në opinionin publik”, thuhet ndër të tjera në letër.

Sipas tyre institucioni që ka për detyrë të ruajë publikun nga informacione të gabuara, të dëmshme e të rrezikshme është AMA. Ky institucion i ka të përfshira në statutin e vet këtë detyrë dhe këtë përgjegjësi në pikën “Parimet themelore për veprimtarinë e transmetimeve audiovizive”, përmes “garantimit të së drejtës së informimit” dhe “respektimit të standardit letrar të gjuhës shqipe”

“A mund të lejohet përbaltja e figurave me kontribut të shquar në fushën e albanologjisë, si ajo e Prof. Eqrem Çabejt, të njohur ndërkombëtarisht nga shkenca albanologjike? Krijohet përshtypja se mediat dhe disa prej personave të ftuar prej tyre duan të krijojnë një “shkencë” shqiptare, që i kundërvihet asaj botërore, çka na bën qesharakë në sy të botës”, vijon më tej letra.

Lidhur me këtë kërkesë të firmosur nga një numër i madh intelektualësh, ka reaguar sot edhe juristi Ylli Manjani, i cili thotë se një pjesë e tyre vete sharlatanë, që e kanë vendin në psikiatri.

“Nuk e kuptova se për kë konkretisht e kishin llafin (huq i vjetër “intelektualësh” ky), por një pjesë e mirë e atyre intelektualëve që kanë nënshkruar atë letër janë po aq sharlatanë. Sharlatanë me shkencë po të doni. Disa prej tyre argumentojnë “shkencërisht” se monizmi është më i mirë se pluralizmi; mbyllja e gojës së tjetrit është më eficente se debati publik mbi argumente; dënimi penal pa prova që po kriminalizon shoqërinë ka dalë nga xhehneti; emigracioni që po boshatis vendin është zgjidhja më e mirë shkencore e të ardhmes së Shqipërisë…. Të dhj*sha shkencën d.m.th!”, thotë Manjani.

Sipas tij “Jo pak prej tyre që e kanë ves shkrimin e letrave pas shpine (shqipe të vërtetë protoindoeuropanë), spiunllëkun e quajnë “qytetari”. Një pjesë tjetër, Akademinë e Shkencave e konsiderojnë të reformuar me vënien në krye të një “ustai politik”, gjithashtu në mënyrë shkencore. Ata kanë hallin e gjuhës shqipe, ndërkohë që shkrirja “shkencore” e Institutit të Albanologjisë duhet të ketë qenë zgjidhje magjike, falë reformave të qeverisë!!! Dhe shumë prej atyre në atë letër nuk e kalojnë këtë test. Madje them se e gjithë ajo listë me “intelektualë” nuk mbërrin as deri të llastiku i brekëve të Dua Lipës, fjala vjen”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA