“Dialogu e vetmja rrugë drejt paqes”/ Politika shqiptare uron 16-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës: Ne festojmë lirinë dhe përulemi përballë sakrificave

17/02/2024 10:14

Politika shqiptare uron Kosovën në 16-vjetorin e Pavarësisë.

Ka qenë Presidenti Bajram Begaj, i cili në urimin e bërë në këtë ditë të veçantë është shprehur se Kosova është një histori suksesi në Ballkan. Duke shprehur mbështetjen e Shqipërisë për copëzën tjetër të kombit shqiptar matan kufirit, Begaj thekson se dialogu me Serbinë është rruga e vetme për arritjen e paqes dhe normalizimit të marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit.

Nga ana tjetër, kryeparlamentarja Lindita Nikolla e ministri i Jashtëm, Igli Hasani gjithashtu kanë siguruar Kosovën se Shqipëria do të jetë gjithmonë krah saj. “Ne festojmë lirinë dhe përulemi përballë sakrificave”, u shpreh ministri Hasani duke shtuar se Tirana zyrtare mbetet mbështetëse e promovuese e vendit që asaj i takon në strukturat europiane, euroatlantike dhe ndërkombëtare

“Sot, ne festojmë lirinë e sovranitetin e Kosovës, por edhe përulemi për përpjekjet dhe sakrificat e jashtëzakonshme  të vëllezërve e motrave tanë për një Kosovë demokratike, të sigurt e të begatë.

Shqipëria ka qenë, është dhe do të jetë gjithmonë përkrah Kosovës dhe mbështetëse e promovuese e vendit që asaj i takon në strukturat europiane, euroatlantike dhe ndërkombëtare”- tha Hasani.

Nga ana tjetër, kryeparlamentarja Lindita Nikolla e ka konsideruar Kosovën prioritet kombëtar të Shqipërisë duke siguruar mbështetjen ton për anëtarësimin e saj në NATO dhe KiE. Sipas Nikollës, me SHBA-në dhe BE-në, e ardhmja e Kosovës është e sigurt, megjithatë duhet punuar për dialogun me Serbinë si rrugën e vetme drejt paqes.

“Shpallja e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, në Kuvendin e Republikës së Kosovës, është një ngjarje historike jo vetëm për Kosovën, por për të gjithë kombin shqiptar.  Liria dhe pavarësia e Kosovës janë rezultat i luftës dhe përpjekjeve të popullit të Kosovës, të mbështetura nga aleatët strategjikë të shqiptarëve, ShBA, BE dhe NATO.

Kosova është një prioritet kombëtar i Shqipërisë. Kuvendi, institucionet e vendit dhe gjithë qytetarët janë në krah të popullit dhe institucioneve të Kosovës në përballimin e sfidave të zhvillimit dhe integrimeve euroatlantike, të cilat arrihen në koordinim dhe me mbështetjen e aleatëve të mëdhenj, ShBA dhe BE.

Shqipëria mbështet integrimin e Kosovës në NATO, anëtarësimin në Këshillin e Europës  dhe në Kartën e Adriatikut, A5. Me mbështetjen e ShBA dhe BE, aleatëve strategjik të kombit shqiptar, e ardhmja evropiane e Kosovës është  e sigurt. Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, i lehtësuar nga BE, është rruga e vetme drejt paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon”- tha Nikolla.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA