Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka njoftuar se zyrtarisht INTERPOL ka lëshuar urdhërarrest ndërkombëtar për të dyshuarit për sulmin terrorist në Banjskë të Zvecanit më 24 shtator të vitit të shkuar.

“Mirëpres njoftimin zyrtar nga selia qendrore e INTERPOL se tashmë janë insertuar në sistemin e urdhër arrestit ndërkombëtar të gjithë personat e dyshuar që realizuan sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit. Ky është një hap i rëndësishëm dhe si i tillë ka efektin e plotë atëherë kur Serbia e cila është duke strehuar dhe akomoduar këta terroristë, i dorëzon tek autoritetet tona për t’u përgjigjur para drejtësisë. Llogaridhënia për organizimin dhe realizimin e sulmit terrorist të 24 shtatorit ku mbeti i vrarë Rreshter Afrim Bunjaku është e domosdoshme. Ndëshkimi për urdhërdhënësit, organizatorët dhe ekzekutuesit e këtij sulmi duhet të ndodhë sa më parë, si garancë e mos përsëritjes së akteve të ngjajshme terroriste”, ka shkruar Sveçla.

Me 29 shtator, ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq ka pranuar se ka organizuar sulmin terrorist ndaj Policisë se Kosovës. Gjatë asaj dite sipas autoriteteve të Kosovës, pranë Manastirit të Banjskës në këtë fshat të Zveçanit policinë e sulmuan rreth 30 persona të maskuar e armatosur. Autoritetet e Serbisë kishin arrestuar vetëm Radoiçiqin, i cili është liruar menjëherë dhe si masë sigurie ka paraqitjen dy herë në muaj pranë stacionit të policisë në Beograd.

Nga ky sulm mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku dhe dy zyrtarë policor u lënduan. Policia e Kosovës neutralizoi tre prej sulmuesve.

Policia e Kosovës gjeti armatim të rëndë në Banjskë dhe fshatrat përreth. Pas ekzaminimit të provave ishin institucionet që konkluduan se plani i grupit terrorist ishte më i gjerë, ai i aneksimit të veriut.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA