ORË PAS ORE/ Viza tetë orëshe e Blinken në Tiranë! Takimet dhe mesazhet, që nga reforma në drejtësi, te situata Kosovë-Serbi dhe roli në NATO e OKB

15/02/2024 20:30

Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, mbërriti këtë 15 shkurt për herë të parë në Shqipëri, ku qëndroi për 8 orë dhe zhvilloi disa takime.

Blinken, i cili është Sekretari i gjashtë Amerikan që vjen në vendin tonë, preku tokën shqiptare në orën 11:12 minuta, ku u prit nga ministri i Jashtëm, Igli Hasani dhe ambasadori shqiptar në SHBA, Ervin Bushati.

Pasi u akomodua, takimin e parë e zhvilloi në ambientet e ambasadës amerikane në Tiranë. Më pas, qëndroi për 15 minuta në Presidencë, në një takim me dyer të mbyllura me kreun e shtetit, Bajram Begaj. Një një deklaratë zyrtare nga Presidenca, u njoftua se pjesë e bisedës ishte rëndësia e marrëdhënieve strategjike dypalëshe, për zhvillimet në rajon, solidaritetin me Ukrainën dhe angazhimi në krah të aleatëve në NATO-s. Kjo vizitë, sipas Begajt, është një mesazh i fortë në mbështetje të shqiptarëve, politikës tonë të jashtme dhe të ardhmes së Shqipërisë në rrugën drejt integrimit në BE.

Në agjendën e zyrtarit të lartë amerikan ishte edhe një vizitë në Piramidën e Tiranës, ku  ndodheshin mbi 100 shqiptarë që kanë përfituar nga programet edukative amerikane. Të pranishëm ishin edhe kryeministri Edi Rama dhe kryetari i bashkisë Tiranë, Erion Veliaj.

Në Piramidën e Tiranës, Blinken u takua edhe me drejtues të sistemit të drejtësisë, përfshirë kreun e Prokurorisë së Posaçme, Antikorrupsion, Altin Dumani. Blinken përcolli edhe një mesazh për drejtësinë në vendin tonë. “Është e rëndësishme të kuptohet se anëtarë të krimit të organizuar po përfundojnë në procese gjyqësore. Ky është një proces dhe vazhdon të bëhet përpara, ne do të vazhdojmë ta mbështesim Shqipërinë në këto hapa të rëndësishëm për anëtarësimi në BE dhe që populli meriton…”, tha ai.

Në fund, Blinken zhvilloi një takim kokë më kokë me Ramën në Kryeministri, në fund të së cilës mbajtën një konferencë për shtyp. Në fjalën e tij, Sekretari Amerikan i Shtetit vlerësoi marrëdhëniet dypalëshe, rolin e Shqipërisë në NATO dhe OKB, ndërsa njoftoi se muajin e ardhshëm do të përurohet baza e NATO-s në Kuçovë. Duke folur për situatën në rajon dhe tensionet mes Kosovës dhe Serbisë, Blinken tha se “dialogu i lehtësuar nga BE-ja është shtegu i vetëm për të ardhmen”.

Ora 20:27

Blinken përfundon vizitën e tij në Shqipëri. Përcillet në aeroportin “Nënë Tereza” nga ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani

Ora 18:38

Blinken lë ambientet e Kryeministrisë, niset drejt aeroportit të Rinasit

Ora 18:30

Përfundon konferenca e përbashkët mes Sekretarit Amerikan të Shtetit dhe kryeministrit Edi Rama.

Ora 17:37

Sekretari Blinken dhe ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani kanë firmosur 2 marrëveshjet mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ora 16:00

Blinken mbërrin në Kryeministri takohet me kryeministrin  Edi Rama.

Ora 15:00

Sekretarin Blinken takim me të rinjtë shqiptarë që kanë përfituar nga programet edukative amerikane.

Ora 14:45

Sekretari Amerikan i Shtetit mbërrin në Presidencë dhe takohet me Presidentin Bajram Begaj.

Ora 13:40

Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken takohet me stafin e ambasadës amerikane.

Ora 11:26 

Sekretari Blinken zbret nga avioni dhe pritet nga ministri i Jashtëm, Igli Hasani dhe ambasadori shqiptar në SHBA, Ervin Bushati. 

Ora 11:12

Avioni i sekretarit amerikan të shtetit, Antony Blinken prek tokën shqiptare. 

Ora 09:30

Efektivë të shumtë ndodhen në ambientet VIP të aeroportit të Rinasit ku do të mbërrijë pas rreth 90 minutash avioni i Sekretarit Amerikan të Shtetit.

Të pranishëm janë gjithashtu edhe disa marinsa amerikanë.

FOTO GALERI
1/30

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA