Kryetari i Aleancës për Shqiptarët shpall kandidaturën e tij për president të Maqedonisë së Veriut.

Drejtuesi i partisë së dytë më të madhe të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut ka vendosur që t’i bashkohet opozitës shqiptare para zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare, gjë e cila ka shkaktuar një përçarje në këtë parti. Përmes një njoftimi zyrtar u bë e ditur se Taravari do të jetë kandidat i koalicionit Lidhja Europiane për Ndryshim.

“Nesër, e enjte,15 shkurt 2024, me fillim në ora 10:00, Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Dr. Arben Taravari, do të shpallë kandidaturën e tij për President të Republikës, si propozim i Kryesisë së Aleancës për Shqiptarët, përkrahur nga Koalicioni Lidhja Evropiane për Ndryshim – LEN”, thuhet në njoftim.

Ky koalicion opozitar mbështetet nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Bekim Qoku, këshilltar i Kurtit dhe aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje, do të dalë në konferencën e përbashkët për media të liderëve opozitarë.

Në fillim të këtij muaji, Kurti i priti në zyrën e tij në Prishtinë liderët e partive politike shqiptare nga Maqedonia e Veriut të cilët janë bërë bashkë për ta rrëzuar nga pushteti BDI-në e Ali Ahmetit – partinë më të madhe të shqiptarëve atje.

Arben Taravari, kryetar i Aleancës për Shqiptarët, Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes Besa, Izet Mexhiti, kryetar i Lëvizjes Demokratike dhe Afrim Gashi, kryetar i Aleternativës, ishin ftuar nga shefi i Qeverisë së Kosovës në takimin në të cilin mori pjesë edhe kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca.

Zyra e Kryeministrit njoftoi pas atij takimit se kishin diskutuar që pas zgjedhjeve, president në Maqedoninë e Veriut të bëhej dikush nga shqiptarët.

“Katër udhëheqësit shprehën propozimin e tyre për një president të Maqedonisë së Veriut i cili mishëron bashkëjetesën mes etnive dhe garanton rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut, president i cili kësaj radhe duhet të vijë nga mesi i shqiptarëve”, u tha në komunikatën e lëshuar nga ZKM-ja.

Pak ditë pas këtij takimi, në ASH pasoi një përçarje, pasi ish-kryetari i kësaj partie, Ziadin Sela nuk u pajtua me qëndrimin e Arben Taravarit për t’iu bashkuar koalicionit opozitar, duke paralajmëruar shkarkimin e tij nga drejtimi i partisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA