Një gjykatëse në Nju Jork e ka refuzuar të enjten kërkesën e Donald Trumpit për ta hedhur poshtë aktakuzën kundër tij në lidhje me pagimin e një ylli të pornografisë për të heshtur, duke i hapur rrugën gjykimit penal të një ish-presidenti amerikan për herë të parë në histori.
Gjykatësja Juan Merchan e caktoi 25 marsin si datë për fillimin e rastit – i cili është njëri nga katër rastet penale me të cilat po përballet Trump, në një kohë kur ai është duke luftuar për t’u nominuar kandidat për president nga republikanët për ta sfiduar presidentin demokrat, Joe Biden, në zgjedhjet e 5 nëntorit.
Trump, 77 vjeç, i kishte kërkuar Merchanit ta hidhte poshtë aktakuzën 34-faqeshe, ku ai akuzohet se i kishte falsifikuar regjistrat e biznesit për ta mbuluar një pagesë 130.000 dollarë që ia kishte bërë yllit të pornografisë, Stormy Daniels, para zgjedhjeve të vitit 2016.
Por, Merchanit iu deshën më pak se 10 minuta për ta hedhur poshtë kërkesën e tij dhe për ta konfirmuar 25 marsin si datë të fillimit të gjyqit ndaj tij.
Pas seancës dëgjimore, Trumpi i përsëriti pretendimet se ky rast është i motivuar politikisht.
“Ata nuk do ta kishin sjellë këtë rast përveç faktit se unë jam duke garuar për president dhe po kam sukses”, tha Trump në korridorin e gjykatës.
Aktakuza ka të bëjë me dyshimet që rrodhën nga pagesat e bëra gjatë fushatës presidenciale të vitit 2016 për t’i heshtur pretendimet e Stormy Daniels se Trump kishte pasur marrëdhënie jashtëmartesore me të.
Trumpi i ka mohuar akuzat.
Secila akuzë dënohet me deri në katër vjet burgim, megjithëse nuk është e qartë nëse Trump do të dënohej me burgim.
Akuzat janë të lidhura me një seri çeqesh që i janë shkruar avokatit të tij, Michael Cohen, për ta rimbursuar atë për rolin e tij në komunikimet me yllin e pornografisë Daniels.
Daniels pretendent se kishte kryer marrëdhënie seksuale me Trumpin në vitin 2006, jo shumë pasi Melania Trump lindi djalin e tyre, Barronin.
Këto pagesa u regjistruan në dokumente të ndryshme të brendshme të kompanisë dhe prokurorët e kanë akuzuar Trumpin për falsifikim të regjistrave biznesore.
Ky gjykim do të nisë para tri rasteve të tjera penale me të cilat përballet Trumpi.
Ndaj Trumpit janë ngritur edhe tri aktakuza, në të cilat ai akuzohet në Xhorxhia dhe Uashington se u përpoq ta zhbënte humbjen në zgjedhjet e vitit 2020. Në Florida për mbajtjen e jashtëligjshme të dokumenteve të klasifikuara./ rel
Top Channel