Një luftanije e madhe zbarkimi e ushtrisë ruse Caesar Kunikov, është fundosur sot pranë brigjeve të gadishullit të Krimesë, njoftonte ushtria e Ukrainës duke marrë përgjegëjsinë për sulmin.
Rrjeti BBC tha se pretendimi nuk mund të konfirmohet.
Shpërthime të fuqishme ishin dëgjuar mëngjesin e sotëm, sipas raportimeve në rrjetet sociale, çka sugjeronte se anija e zbarkimit ishte goditur në jug të qytetit të Ialta, shkruan rrjeti shtetëror britanik BBC.
Inteligjenca ushtarake e Ukrainës publikonte një video ku dukej se dronët detarë tip Magura V5, godisnin anijet ruse.
Ukraina ka goditur dhe herë të tjera mjetet detare ruse në Detin e Zi pranë Krimesë.
Më herët imazhet satelitore tregonin se shumica e flotës ruse të Krimesë është larguar drejt portit rus të Detit të Zi, Novorossiysk.
Zhvillimi vjen teksa lufta e Rusisë në lindje të Ukrainës hynë në vitin e tretë dhe i ka kushtuar jetën qindra mijëra ushtarëve nga të dyja palët, ndërsa Ukraina pranon se situata në front është “e komplikuar dhe e tensionuar”.
Kreu i ri i ushtrisë së Ukrainës, Oleksandr Syrskyi, premtonte sot se ushtria ‘do të mbrojë qytetin e luftuar të Avdiivka’ megjithëse është i rrethuar nga ushtria ruse dhe forcat ukrainase që e mbrojnë thonin më herët se situata është ‘kritike’.
BBC thotë se nuk ka konfirmime për fundosjen e zbarkueses Caesar Kunikov në Detin e Zi ndërsa pamjet e publikuara nga inteligjenca e Ukrianës ‘nuk janë të vjetra’.
Luftanije të tilla amfibe përdoren për zbarkimin e trupave, veçanërisht në territorin armik.
Më herët Ukraina ka fundosur në një sulm mjetin amfib rus Novocherkassk, i goditur në dhjetor në portin e Feodosiya.
Top Channel