SHBA, Kryetari i Komisionit të Zbulimit paralajmëron për një kërcënim serioz për sigurinë kombëtare

14/02/2024 22:08

Kryetari i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Zbulimin tha të mërkurën se ka marrë të dhëna për një kërcënim serioz ndaj sigurisë kombëtare dhe i bëri thirrje administratës ta deklasifikojë këtë informacion në mënyrë që Shtetet e Bashkuara dhe aleatët të mund të diskutojnë haptazi për mënyrën se si duhet të përgjigjen.

Ligjvënësi republikan Mike Turner nuk dha detaje në deklaratën e tij për natyrën e këtij kërcënimi. Edhe Shtëpia e Bardhë nuk pranoi të japë detaje.

Zoti Turner u dërgoi më herët të mërkurën një mesazh nëpërmjet postës elektronike anëtarëve të Kongresit, ku i informoi se komisioni i tij ka “identifikuar një çështje urgjente në lidhje me kapacitetet destabilizuese të një ushtrie të huaj”, që duhet t’u bëhet e ditur të gjithë hartuesve të politikave. Ai i inkurajoi ligjvënësit të mblidhen në një nga mjediset e sigurta në Kongres, për t’u informuar në lidhje me të dhënat e zbulimit. Ai sërish nuk dha detaje të mëtejshme.

Njoftimi i ligjvënësit Turner duket se e kapi në befasi administratën e presidentit Biden.

Këshilltari i sigurisë kombëtare Jake Sullivan u tha gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se ishte planifikuar që më parë për të enjten një seancë informimi me zotin Turner dhe drejtuesit e tjerë në Kongres për çështjet e zbulimit, të njohur me emërtimin Grupi i të Tetëve. Zoti Sullivan nuk e bëri të ditur temën dhe nuk dha detaje të tjera në lidhje me deklaratën e zotit Turner.

“Jam i përqëndruar tek takimi nesër me të dhe anëtarët e tjerë të Grupit të Tetëshes në Dhomën e Përfaqësuesve”, tha zoti Sullivan. “Nuk jam në pozitën për të thënë diçka më tej nga ky podium në këtë moment”.

Ai pranoi se nuk është praktikë e zakonshme mbajtja e një seance të tillë informimi.

“Dua vetëm të them se e kontaktova personalisht Grupin e Tetëshes. Është në fakt shumë e pazakontë që këtë ta bëjë këshilltari i sigurisë kombëtare”, tha zoti Sullivan. Ai tha se i kishte kontaktuar më herët këtë javë.

Zoti Sullivan nuk tha nëse seanca e informimit do të ketë lidhje me paralajmërimin e zotit Turner. “Do t’ua lë juve të bëni lidhjet që dëshironi”, u tha ai gazetarëve./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA