Pronat e sekuestruara dhe te të konfiskuara nga grupet kriminale, tashmë do të menaxhohen më mirë nga Agjensia e Administrimit të tyre, pasi do të ndiqet modeli italian.
Kjo ishte tema e diskutimit mes ministrit të Brendshëm Taulant Balla dhe homologut te tij italian, Marreo Piantedosi, në Romë.
“Italia ka një eksperiencë të vyer sa i përket trajtimit të pronave të sekuestruara dhe të konfiskuara, kryesisht pronave që kanë qenë dikur në pronësi të grupeve kriminale apo të mafies italiane. Në këtë aspekt kemi dakordësuar me ministrin Piantedosi që eksperiencën italiane të mund ta përdorim edhe në mënyrën sesi do t’i qasemi pronave që po sekuestrohen dhe konfiskohen nga grupet kriminale apo nga veprimtari të tjera korruptive”, tha Balla.
Risi pritet të ketë dhe në menaxhimin e kufirit blu mes dy vendeve, Top Channel mëson se gjatë këtij takimi, Balla kërkoi mbështetje që gjatë sezonit turistik policia italiane të patrullojë në plazhet shqiptare me qellim rritjen e sigurisë. I shoqëruar edhe nga drejtuesit e policive bregdetare të Durrësit dhe Vlorës, Balla tha se synimi është rritja e sigurisë në brigjet tona.
“Në kontrolli i kufirit blu, për kapacitetet që ne kemi është gjithmonë një sfidë e vështirë dhe me grupin teknik, mes dy policive, do të detajohet edhe një mbështetje që ne kemi kërkuar dhe presim të marrim nga pala italiane, nga Guardia di Finanza apo agjenci të tjera, pjesë e Policisë apo Karabinerisë italiane për të rritur sigurinë e brigjeve tona, qoftë në luftën kundër trafiqeve, por më shumë se kaq, sepse në këtë aspekt rezultatet janë të dukshme, por për të garantuar që çdo pushues”, tha Balla.
Gjatë takimit, ministri i Brendshëm shqiptar kërkoi anëtarësimin me status të asociuar ose si vëzhgues, të Policisë Rrugore Shqiptare në Shoqatën e Policive Rrugore Europiane, për të përfituar nga përvoja e tyre.
Top Channel