Seanca e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, në të cilën u përplasën Albin Kurti, kryeministër i Kosovës dhe Aleksandër Vuçiç, president i Serbisë, duhet të përbëjë për ekspertin amerikan të Ballkanit Perëndimor, Edward Joseph, si një pikë kthese në politikën e Kosovës.
“Albin Kurti dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë partiakë duhet të kuptojnë dëmin e vetëshkaktuar interesave kombëtare të Kosovës nga populizmi i pandërprerë. Tani është koha për të ndryshuar kursin”, ka shkruar ai në platformën X. Joseph mendon se së pari për euro/dinarin, Kurti duhet të prodhojë një plan, jo një ndalim.
Së dyti, shprehet ai, mënyra e vetme për t’u rikuperuar nga një autogol është të shënosh një në rrjetën tjetër duke insistuar se duhet të zbatohet vendimi i Deçanit dhe të punohet seriozisht me Ambasadën Amerikane për zbatimin e Ohrit. Ambasadori i Britanisë së Madhe në OKB, James Kariuki ndërkohë në seancë përmendi tre hapa urgjentë, që duhen zbatuar sipas tij për të ulur tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Kosova dhe Serbia duhet të respektojnë detyrimet e tyre ekzistuese dhe të shmangin veprimet dhe retorikën e njëanshme në mënyrë që të vendosin themelet për një marrëveshje të pranueshme dhe të qëndrueshme. Së dyti, Kosova duhet të vendosë të përdorë të drejtat sovrane në përputhje me vizionin e një demokracie multietnike të bazuar në dispozitat kushtetuese. Me lëvizjet e fundit, Banka Qendrore e Kosovës u përpoq të përmbushe rolin e saj dhe të rregullojë qarkullimin e valutës së huaj, por plani për zbatimin e këtij vendimi, për momentin nuk ka qenë efikas s ai takon impaktit mbi komunitetet pakicë. Autoritetet e Kosovës duhet të kenë një plan të qartë e të sigurohen që serbët e prekur të vazhdojnë të marrin të ardhura derisa të gjendet një zgjidhje e qëndrueshme”, u shpreh James Kariuki
Top Channel