Vrau 29-vjeçarin për radhën në market, Apeli lë në fuqi dënimin për Arbër Sulën

08/02/2024 16:01

Gjykata e Apelit la në fuqi vendimin e Gjykatës së Përgjithshme që dënoi me 6.8 vite burg ish-agjentin Arbër Sula, që vrau një 29-vjeçar në market.

Apeli njofton mospranimin e ankimit të Sulës kundër vendimit të 15 shtatorit 2023 të Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për shkak të heqjes dorë nga ankimi.

Nuk pranohet as ankimi i Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për shkak të depozitimit jashtë afatit ligjor të ankimit.

Sula është dënuar për vrasjen e Jurgen Dukës, pas një sherri për radhën në market, në vitin 2021.

Si ndodhi ngjarja?

Në 20 minutat e para të 14 dhjetorit të vitit të kaluar, në “Market Juli”, në rrugën “Irfan Tomini”, u vra me armë zjarri shtetasi Jurgen Duka (Meziri), me banim në zonën e Kamzës në Tiranë.

“Viktima ka hyrë në market i shoqëruar nga Orgest Drazhi, i cili së bashku me Dukën kanë qenë për darkë në një restorant në zonën e quajtur “Fresku” dhe më pas janë nisur për të shkuar në banesën e këtij të fundit. Gjatë rrugës, janë ndalur tek marketi, dhe duke qene në gjendje të pirë, kanë debatuar me një klient. Në zënie e sipër, klienti ka qëlluar në drejtim të viktimës me armë zjarri, tip pistoletë dhe është larguar menjëherë pas ngjarjes. Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, një gëzhojë dhe një predhë si dhe një pasaportë me emër të shtetasit Jurgen Duka. Nga pamjet filmike të sekuestruara nga marketi, rezulton se autori i vrasjes është larguar nga vendi i ngjarjes me një automjet tip “Mercedez Benz” me ngjyrë të zezë. Gjatë kontrollit të bërë të viktimës në ambientet e spitalit të traumës në Tiranë, misid të tjerash i është gjetur edhe një sasi prej 2.8gr lëndë e dyshuar si narkotike”, citohet nga dosja.

Në dosjen hetimore thuhet se edhe i dyshuari Orgest Drazhi i cili shoqëronte viktimën, menjëherë pas vrasjes është larguar nga vendi i ngjarjes dhe nuk ka njoftuar organet hetimore. Pasi është bërë identifikimi i këtij shtetasi, është shkuar në banesën e tij në fshatin Domje, ku dh është arrestuar.

Nga këqyrja e pamjeve filmike është bërë i mundur edhe identifikimi i fotografisë së autorit të vrasjes. Nga ana e organeve policore konfirmohet se personi është Arbër Sula, i datëlindjes 10.11.1994, me detyrë ndihmës specialist në sektorin e shërbimeve policore në Drejtorinë Vendore të policisë në Dibër. Vepra e kryer nga i dyshuari parashikohet nga neni 76 i K.Penal dhe parashikon një dënim maksimum deri në 20 vjet burgim.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA