Parlamentit Evropian ka miratuar me shumicë votash një rezolutë me të cilën dënon gjendjen e shtetit të së drejtës në Greqi.

330 eurodeputetë votuan pro, 254 kundër dhe 26 abstenuan për rezolutën që jep alarmin “për disa zhvillime shqetësuese në Greqi” që kanë të bëjnë me “kërcënimet shumë serioze kundër demokracisë, shtetit të së drejtës dhe të drejtave themelore”.

Në raport përmenden përgjimet dhe survejimet, hetimet për aksidentin e trenave në Tembi një vit më parë, mbytjen fatale të anijes në Pylos me qindra klandestinë dhe dëbimet e paligjshme të emigrantëve të paligjshëm, liria e shtypit  dhe “sulmet kundër shoqërisë civile”. Me një video në tik-tok kreu i partisë opozitare Syriza, Stefanos Kasselakis, ka komentuar vendimin e PE.

“Vendi ynë u dënua dje me një rezolutë të Parlamentit Europian për situatën në shtetin e së drejtës, manipulimin e drejtësisë, shtypit, institucioneve. Si sanksion rrezikojmë të humbim fondet evropiane. Është hera e parë që institucionet europiane dënojnë vendin tonë pas juntës ushtarake. Domethënë pas gjysmë shekulli! Nuk e mësuat, sepse propaganda e Mitsotakis nuk ju lejon ta mësoni”, tha Stefanos Kasselakis-lideri i Syriza.

Është padyshim një tjetër lojë politike në nivel të Parlamentit Evropian me qëllim të ulet prestigji i suksesit të Greqisë në vitet e fundit, ka komentuar zëdhënësi i qeverisë greke.

“Partitë e së Majtës dhe të Qendrës së Majtë në Evropë kanë avancuar tek kjo rezolutë specifike, në kuadër të periudhës parazgjedhore, që duket se ka nisur për ta. Është e qartë kjo lojë politike kundër Partisë Popullore Evropiane , dhe kundër partisë më të fortë, më të fuqishme në gjirin e saj, që është Demokracia e Re”, u shpreh Pavlos Marinakis zëdhënësi i qeverisë.

Përveç grupeve të Socialistëve, Liberalëve, të Gjelbërve dhe të së Majtës, pro rezolutës kanë votuar edhe 7 eurodeputetë të Partisë Popullore Europiane ku bëjnë pjesë edhe konservatërot grekë në fuqi, ndërsa  edhe kreu i saj Manfred Weber ka dalë nga salla pak para nisjes së votimit dhe nuk ka votuar.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA