Ish-kryeministri Sali Berisha nuk do të marrë pjesë në parlament.
Këtë vendim e mori Gjykata Antikorrupsion që la në fuqi SPAK-un, i cili kishte rrëzuar më herët kërkesën e ish-kryeministrit për t’i dhënë leje dhe ta shoqëronte të enjteve nga arresti shtëpiak drejt seancave parlamentare.
Gjatë procesit me dyer të mbyllura pasi avokatët paraqitën një deklaratë noteriale ku ish-kryeministri njoftonte dijeninë për gjyqin dhe jepte pëlqimin që të përfaqësohej nga avokatët, secila nga palët qëndroi në pozitat e saj.
SPAK përsëriti dhe njëherë praktikën e Gjykatës së Lartë ndaj ish-deputetit Mark Frroku dhe ligjet se kur jepet leje për ta lënë përkohësisht arrestin shtëpiak.
Në këto rrethana nuk përfshihet leja për në parlament. Por avokatët e ish-kryeministrit këmbëngulin tek praktika e Strasburgut, duke sjellë shembuj për të drejtat e deputetit.
Por nga ana tjetër burimet pranuan se avokatët u shprehën të shqetësuar mbi pasojat që do të sjellë ky kufizim, që është rrezikimi i mandatit të Berishës si deputet.
“Kur ata vazhduan në të tyren, ne do të vazhdojmë betejën tonë. Edhe praktikat e Strasburgut dhe të gjitha argumentet që ne bëmë, gjykata nuk arriti të konkludonte. Pa ndryshuar porosia e Ramës, nuk ndryshon vendimi i kësaj gjykate”, tha Gjokutaj.
Mbrojtja e ish-kryeministrit të dyshuar për korrupsion në dosjen Partizani ku janë nën hetim dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi dhe biznesmeni Fatmir Bektashi, pritet t’i drejtohet me ankim Apelit.
Pak ditë më parë e njëjta gjykatë nuk pranoi që Sali Berishës t’i hiqet masa e arrestit shtëpiak. Ndërkohë që në Gjykatën e Lartë janë regjistruar dy rekurse të ish-kryeministrit, dhe për njërën prej tyre është caktuar 5 marsi si data e seancës.
Top Channel