Mungesa e gjurmimit të një produkti, që do të thotë se çfarë përdoret mbi to që në momentin që mbillet e derisa përfundon në treg, është konstatuar edhe nga një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Paradoksi është se edhe në rastet kur AKU i dërgon për analiza mostrat, rezultatet dalin pas shumë kohe, kur produkti ka përfunduar në treg.

Një fenomen i zbuluar edhe më herët nga “Inside Story” në një investigim të ngjashëm për antibiotikët e kafshëve.

“Nëse analiza vjen më vonesë mund të ketë vetëm vlerë statistikore, por vlerë praktike nuk ka më. pra nëse një produkt ka arritur në treg dhe ka pasur problem atë efekt që ka pasur për ta kryer e ka kryer tashmë”, u shpreh Edmond Panariti, ish-ministër i Bujqësisë.

Kontrolli i Lartë i Shtetit konstaton se mungesa e mbështetjes ka sjellë kolaps në shërbimin fitosanitar. Kjo pasi Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, një laborator referencë, punon në kushte të kufizuara kapacitetesh financiare.

Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë nuk ka përmbushur detyrimin ligjor dhe administrativ të ngarkuar me Urdhrin e Ministrit mbi planin e kontrollit për periudhën 2018-2020, në marrjen e mostrave dhe kryerjen e analizave brenda afatit 10 ditor.

Certifikata fitosanitare që lëshon ky institucion është dokumenti kyç që garanton cilësinë e produktit. Por ekpostuesit iu drejtohen laboratorëve privatë, pasi publiku nuk garanton të gjithë gamën e analizave.

“Në Lushnjë nuk ka një laborator të mirëfilltë, por shkojmë i bëjmë edhe atje janë janë shumë shtrenjtë, një kg speca kushton 300 euro. Jo ISUV nuk njihet i bëjmë tek NOVAL se vetëm ai njihet dhe bën shumë lloje pesticidesh”, u shpreh Nedrete Arapi, fermere.

“Laboratorët e AKU fatkeqësisht nuk kryejnë analiza për eksport dhe as nuk njihen. I vetmi është ISUV, i cili nuk i ka të gjitha i ka të akredituara megjithëse kryen një gamë të gjerë. Eksportuesit janë të detyruar të kryejnë analiza edhe në privat, pasi nuk i mjafton vetëm certifikata fitosanitare e lëshuar nga institucionet shtetërore si një letër e printuar me ngjyra. Por për shkak të kostove eksportuesit disa herë i bien shkurt”, u shpreh Granit Sokoli, ekspert/ siguria ushqimore.

Top Channel