Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar se komunikimi rreth vendimit për rregulloren e Bankës Qendrore për pagesat vetëm me valutën euro, duke ndaluar përdorimin e dinarit serb, ka mundur të ishte më i qartë “për të shmangur konfuzion”.
Pavarësisht se rregullorja e BQK-së për pagesa me para të gatshme hyri në fuqi më 1 shkurt, mes kritikave nga faktori ndërkombëtar dhe serbëve lokalë, Kurti tha se e kupton që “një periudhë tranzicioni është e nevojshme”, duke shtuar se një periudhë e tillë tranzicioni veçse ka nisur.
Kryeministri kosovar tha se gjatë këtij muaji autoritetet do të ofrojnë informacione që “ky tranzicion të jetë sa më i lehtë që të jetë e mundur”.
“Një periudhë tranzicioni kurrë nuk duhet të keqinterpretohet si sulm apo ndarje e thelluar. Dhe pasiguria e shkurtër që haset gjatë kësaj periudhe nuk duhet të shfrytëzohet për përfitimin politik”, tha Kurti, sipas një njoftimi për media të lëshuar nga zyra e tij më 6 shkurt.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë kritikuar Kosovën për miratimin e rregullores së BQK-së, pa konsultime paraprake.
SHBA-ja po ashtu ka kërkuar që Kosova të shtyjë zbatimin e vendimit dhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hoveriner ka deklaruar se “ne kemi shqetësime të thella për mënyrën e zbatimit të kësaj rregulloreje, pasi besojmë se nuk i merr parasysh disa shqetësime të komuniteteve”.
Kurti sërish përsëriti qëndrimin e tij se rregullorja e BQK-së për operacione me para të gatshme nuk është kundër dinarit serb dhe se serbët që pranojnë pensione dhe ndihmë tjetër nga Serbia me dinarë, mund të vazhdojnë t’i pranojnë ato, por ato pagesa duhet të deponohen në llogaritë bankare në Kosovë me euro.
Një ditë më herët, Kurti u takua me ambasadorët e akredituar në Kosovë. Në takim, sipas një njoftimi, ai u shpreh i gatshëm të adresojë “në mënyrë të shpejtë” shqetësimet lidhur me vendimin e BQK-së për pagesat.
Faktori ndërkombëtar ka shprehur shqetësime për ndikimin që mund të ketë kjo rregullore te komuniteti serb në Kosovë, pasi ata që nga paslufta kanë përdorur monedhën kombëtare të Serbisë. Shteti serb ua paguan serbëve të Kosovës – përmes një sistemi paralel – pagat, pensionet, ndihmat sociale, dhe përfitimet tjera.
Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar, ka kritikuar vendimin e BQK-së, dhe kreu i kësaj partie, Zllatan Ellek, më 3 shkurt tha se ndalimi i përdorimit të dinarit “nënkupton dëbimin të serbëve dhe të gjitha institucioneve serbe” nga territori i Kosovës.
Sipas Ellekut, afër 100.000 serbë do të preken drejtpërdrejt nga vendimi i BQK-së për ndalimin e përdorimit të dinarit./REL
Top Channel