U bllokuan në Bogë, pasi njëri plagosi këmbën gjatë eksplorimit, shpëtohen 5 alpinistët 

05/02/2024 09:15

Një grup alpinistësh prej 5 personash mbetën të bllokuar ditën e djeshme në Bogë.

Pas 12 orësh operacion, në kushte të vështira atmosferike dhe terreni, policia i ka ndihmuar alpinistët shqiptar, të cilët kishin mbetur të bllokuar gjatë eksplorimit, pasi njëri prej tyre kishte dëmtuar këmbën. Ata njoftuan policinë rreth orës 16:50, në vendin e quajtur “Maja e Çardakut”.

Operacioni, gjatë natës dhe orëve të para të mëngjesit, u krye nga Policia Alpine e Forcave Kombëtare të Sigurisë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe dhe me Emergjencat Civile, si dhe një grup vullnetarësh.

26-vjeçari që kishte dëmtuar këmbën është dërguar për ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal Shkodër dhe është jashtë rrezikut për jetën.

Policia e Shkodrës është e angazhuar maksimalisht për garantimin e sigurisë së turistëve dhe vizitorëve, në vendin tonë. Gjithashtu, fton ata dhe qytetarët që për çdo rast nevoje për ndihmë, të telefonojnë në numrin pa pagesë 112.

Top Channel