Ministri gjerman në Prishtinë: Bëjmë thirrje për maturi dhe kujdes

05/02/2024 12:41

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, kërkoi çtensionim të situatës në mes të Kosovës dhe Serbisë duke bërë thirrje për rikthim në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“Ne, marrë parasysh tensionet aktuale me Serbinë, dhe pakicën serbe në Kosovë, bëjmë thirrje të qartë për maturi dhe kujdes”, tha ministri gjerman më 5 shkurt në Prishtinë.

Në një konferencë për media me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, ministri gjerman tha se “Kosova duhet të kontribuojë në çtensionim e situatës, mirëpo edhe Serbia ka një rol të veçantë”.

“Sa i përket marrëdhënieve në mes të Serbisë dhe Kosovës, kërkesa e ditës është deeskalimi, kancelari gjerman e ka nënvizuar që e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Evropë, por kjo parasheh dialogun dhe askush nuk duhet dhe nuk mund të ketë një interes në tensionin e mëtejmë të situatës”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha politika shtetërore e Serbisë “vazhdimisht po e sfidon integritetin territorial të Kosovës dhe angazhohet për akte agresioni ndaj Kosovës”.

Ajo shtoi se “për t’i parandaluar këto sulme në të ardhmen ne kemi nevojë për përkrahjen e Gjermanisë, sikurse edhe të aleatëve e partnerëve të tjerë euroatlantik”.

Ajo tha se është koha që Kosova t’i bashkohet NATO-s, duke filluar me Partneritetin për Paqe.

“Një hap i tillë do të ndikonte pozitivisht në sigurinë, paqen dhe stabiliteti ne të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor”, tha ajo.

Top Channel