Fundjava kuqezi/ Shënojnë për klubet futbollistët e kombëtares në kampionat dhe miqësore

05/02/2024 15:52

Fundjava ishte mjaft pozitive për një pjesë të legjionarëve të Kombëtares shqiptare. Odise Roshi po kalon një formë shumë të mirë në kampionatin turk.

Mesfushori kuqezi gjeti rrugën e rrjetës në sfidën Sakaryaspor-Bandirmaspor. Goli i 32-vjeçarit në minutën e 68′, ishte vendimtar pasi sfida përfundoi 1-0 dhe Sakaryaspori mori tri pikë shumë të rëndësishme.

Te goli u rikthye edhe Armando Sadiku. Sulmuesi kuqezi realizoi një gol shumë të bukur në barazimin 2-2 të Mohun Bagan ndaj East Bengal. Sadiku e gjeti rrugën e rrjetës në minutën e 17-të të pjesës së parë. Falë një kthese të menjëhershme.

Një formë fantastike po kalon edhe Cristian Shpendi. Sulmuesi i Shqiprisë U21 i dhuroi Cesenës fitoren e radhës në Serie C, duke shënuar në triumfin 1-0 përballë Fermanës. Sulmuesi i talentuar gjeti golin e 14-të në kampionat.

Edhe pse në ndeshje miqësore Taulant Seferi, Ernest Muçi dhe Mario Mitaj gjetën rrugën e rrjetës me skuadrat e tyre. Pas formës së mirë që po tregonte në kampionat në Emiratet e Bashkuara Arabe me skuadrën e Bani Yas, Taulant Seferi festoi në sfidën Bani Yas-Al-Tawoon.

Edhe Ernest Muçi është gati për startin e pjesës së dytë të sezonit me Legian e Varshavës. Sulmuesi kuqezi e nisi si titullar ndeshjen miqësore ndaj Rzeszow. Dhe shënoi golin e parë të takimit në fitoren 3-1.

Mario Mitaj gjeti rrugën e rrjetës me Lokomotivën e Moskës në ndeshjen miqësore ndaj Kairat Almaty. Mbrojtësi kuqezi e nisi si titullar takimin dhe realizoi golin e dytë në fitoren 4-1. Armando Broja bëri debutimin e tij me skuadrën e re, Fulham. Sulmuesi kuqezi u transferua në minutat e fundit të merkatos nga Chelsea te Fulhami në formë huazimi. 22-vjeçari debutoi në sfidën ndaj Burnleyt, që përfundoi 2-2.

Titullarë me skuadrat e tyre u aktivizuan edhe Elhan Kastrati, Berat Gjimshiti, Adrian Ismajli, Nedim Bajrami dhe Rey Manaj, ndërsa Keidi Bare, Myrto Uzuni, Arbnor Muja dhe Sokol Cikalleshi dhanë kontributin e tyre si zëvendësues.

Top Channel