“Marrëdhëniet me Ramën e Kurtin”/ Xhaferi për Top Channel: Kontakte institucionale. Nuk e përjashtoj vizitën në Shqipëri

03/02/2024 20:12

Kryeministri i parë shqiptar i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi është në krye të një qeverie teknike deri në zgjedhjet e majit. Por politikani gjakftohtë, ish pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare sot ka një detyrë të vështirë.

Xhaferi shpjegon për Top Channel përse nuk e konsideron veten një kryeministër teknik. Në një intervistë me drejtorin e Informacionit Robert Rakipllarin, Xhaferi flet edhe për marrëdhëniet me liderët në Shqipëri dhe Kosovë.

Intervista e plotë:

Rakipllari: Z. Xhaferi, së pari ju falënderoj për këtë intervistë për televizionin Top Channel. Pyetja ime e parë është, ju jeni shqiptar, luftëtar i çështjes shqiptare, por tani jeni një kryeministër i një shteti me shumicë maqedonase, çfarë është qenia juaj në këtë post. Është një truk i shumicës parlamentare aktuale për të fituar pikë në zgjedhje, imponim i faktorit shqiptar, apo një simbolikë e bashkëjetesës multietnike.  

Xhaferi: Ky është një realitet i arkitekturës strukturore e përbërjes së popullatës së Maqedonisë së Veriut; është një përgjigje e pritshmërive në pretendimin tonë për të realizuar përcaktimet strategjike që nga mëvetësimi i ish-Jugosllavisë për të qenë pjesë e Bashkimit Europian. Dhe duke qenë se përcaktimi është tashmë për ato vlera, mendoj se akti i nominimit dhe përzgjedhjes së qeverisë në këtë përbërje të cilën e udhëheq unë, është në fakt përgjigje ndaj përmbushjes së një pjesë të atyre vlerave euroatlantike, tek të cilat ne edhe pretendojmë të jemi pjesë, kështu që është çështje e statusit tonë kushtetues, si pjesë përbërëse shtetformuese e këtij shteti, dhe s’do mend që është përgjigje në të drejtën, detyrimin dhe përgjegjësinë për të bashkërenduar punët dhe për të arritur qëllimet tona strategjike.

Rakipllari: Shqiptarët këto 20 vitet e fundit në Maqedoninë e Veriut kanë arritur shumë. Përveç njohjes së gjuhës shqipe, ju jeni kryeministri i parë shqiptar, por a nuk mendoni se shqiptarët po humbin betejën me numrat. Emigracioni shumë i lartë, lindjet e ulëta, si do të përballeni më këto sfida?

Xhaferi: Beteja me numrat nuk është se karakterizon vetëm Maqedoninë e Veriut. Është dukuri dhe standard në rajon. Nëse ka dallim, ai mund t’i përshkruhet aspektit të parakohës, në një periudhë para 30 viteve në ish-Jugosllavi ishte e theksuar dhe mbi atë bazë mund të thuhet që numri më i madh i qytetarëve nga Maqedonia e Veriut..por në kontekstin kohor, veçanërisht e 20 viteve të fundit, kur u liberalizuan vizat, i kemi parashikuar pasojat.

Rakipllari: Z. Xhaferi, a ju erdhi keq që nuk u votuat nga të gjithë deputetët shqiptar të paktën. Opozita maqedonase kuptohej që do votonte kundër për shkak të qendrimeve të mëparshme. A mendoni se nëse faktori shqiptar do ishte i bashkuar, do të kishte mundësinë të bënte më shumë, mos të kishin vetëm kryeministrin teknik, por edhe te përfaqësoheshin më tepër në institucionet e Maqedonisë së Veriut.

Xhaferi: Statusi im nuk është si tekni  për shkak se qeveria, mbi bazë të marrëveshjes së Përzhinës si vendim politik, ka qenë e kushtëzuar me ndryshimet e ligjit për qeverinë që qeveritë e ardhshme nga 2016-ta e këtej, qofshin të parakohshme apo të rregullta, në përbërjen e qeverisë në 100 ditët e fundit të qeverisjes do t`i shtohen ministrat shtesë të opozitës për të siguruar pajtueshmëri me rezultatet e zgjedhjeve. Nocioni i përkohshëm, nocioni teknik nuk ekziston as në ligjin për qeverinë, as në kushtetutë. Kushtetuta njeh zgjedhjet e qeverisë. Një prej prioriteteve do të jetë procesi i përgatitjes së zgjedhjeve. Ne duhet të krijojmë kushtet e besueshmërisë. A do të thotë ajo se nuk do te merremi me çështje të tjera që dalin veç zgjedhjeve, kështu që termi teknik është vetëm një term popullor që përdoret jashtë atij që është nocioni dhe statusi i vërtetë i qeverisë.

Çështja e përcaktimit të faktorit shqiptar të opozitës, jo se nuk më votuan mua, por fatkeqësisht, është një përsëritje e rasteve të ngjashme në histori. Nëse shkojmë më larg, të dhënat historike tregojnë se në krijimin e shtetit grek, në 1821, dhe me themelimin e Kuvendit, ka qenë mundësia e zyrtarizimit të gjuhës shqipe në parlamentin grek. Dhe ajo nuk u bë për votën e një pjesëtari shqiptar. Historia i flet këto fakte, janë fakte historike. I kthehemi kësaj historisë më të re ku jemi; në 1998-tën, pas zgjedhjeve parlamentare, opozita e atëhershme LSDM dhe pjesa tjetër e opozitës, patën propozuar të ndjerin Abdurrahman Haliti për kryetar parlamenti në Maqedoni. Për fat të keq, pjesa që kishte fituar zgjedhjet dhe që u bë pjesë e shumicës parlamentare e udhëhequr nga VMRO DPMNE në atë kohë, nuk e mbështeti, dhe për fat të keq për ne përsëritet e njëjta situatë aktualisht

Rakupllari: Çfarë marrëdhëniesh keni me z. Kurtin i cili ka shprehur idenë e tij për një vetëvendosje pa an shqiptare dhe do të jetë i pranishëm edhe në zgjedhjet në Maqedoni.

Xhaferi: Unë edhe si kryetar parlamenti, ministër i Mbrojtjes edhe si deputet në 6 mandate, në një periudhë me parlamentin e Kosovës, në një periudhë tjetër me parlamentin e Shqipërisë, në kontekst institucional kam dhe do të kem marrëdhënie pa rezervë. Shtetet janë të njohura, nevoja për komunikim institucional ka nevojë, përcaktimet strikte politike janë të drejtat të subjekteve politike, unë jam i përqendruar të zbatoj kompetencat e mia dhe detyrimet e mia

Rakipllari: Ju ka uruar z.Kurti?

Xhaferi: Në rrjetet sociale ka uruar, siç ka uruar kryetari i Kuvendit tq Kosovës dhe Presidentja.

Rakipllari: Më zotin Rama, keni pasur kontakte?

Xhaferi: Unë si kryetar parlamenti në aspekte të komunikimit zyrtar kam pasur marrëdhënie institucionale.

Rakipllari: Parashikoni vizitë zyrtare në Tiranë ose në Prishtinë?

Xhaferi: Nuk i përjashtojmë. Është çështje e dinamikës dhe programeve që janë në agjendë për muajin vijues.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA